Çohu: Në Kosovë ka shkallë të ulët të ndëshkimit të korrupsionit

Rastet e korrupsionit po vazhdojnë të barten nga viti në vit, dhe vetëm gjatë vitit 2018 janë parashkruar 58 lëndë të korrupsionit.

Kështu u tha gjatë publikimit të raportit “Qasja në Drejtësi”, të organizatës për Demokraci Anti-korrupsion dhe Dinjitet, “Çohu”.

Teksa u theksua se gjatë një viti monitorim janë identifikuar vetëm 17 raste të korrupsionit të nivelit të lartë.

Reklama e sponzorizuar

Hulumtuesja e Çohu-s, Rina Maliqi duke e prezantuar raportin, tha se në të gjitha këto raste të korrupsionit të nivelit të lartë ka pasur dënime të ulëta, hedhje poshtë të aktakuzave dhe lirim të këtyre zyrtarëve. E kjo sipas saj, flet për shkallën e ulët të luftimit dhe ndëshkimit të korrupsionit të nivelit të lartë.

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni duke folur për efikasitetin e punës së tyre, tha se vetëm gjatë vitit të kaluar janë proceduar rreth 72 mijë lëndë penale. Ai theksoi se vetëm për rastet e korrupsionit gjatë këtij viti, kanë fituar gjashtë kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme.

Derisa përmendi disa masa disiplinore që i kanë marrë brenda këshillit për të rritë efikasitetin e punës.

E ish kryetarja e komisionit për legjislacion, Albulena Haxhiu, partia e së cilës ka fituar në zgjedhjet e 6 tetorit, tha se duhet të kthehet besimi në sistemin e drejtësisë.

Kjo sipas saj duhet të bëhet përmes fuqizimit të departamenteve brenda Prokurorisë Speciale për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, e jo themelimin e taskforcave të ndryshme.

Ky projekt është bërë me përkrahjen e Ambasadës së Holandës përmes programit Matra, e ambasadorja Gerrie Willems tha se funksionimi adekuat i gjyqësori është një parakushti i sundimit të ligjit./KsP/