Agjencia Kosovare e Konkurrencës ka paralajmëruar se do të dënojë kompanitë e naftës që operojnë në vend nëse brenda një periudhe një mujore nuk do të arrijnë të dëshmojnë që nuk i kanë kurdisur çmimet e karburanteve në treg, shkruan Gazeta Express.
Duarkryq për këtë problematikë nuk do të rrijë as qeveria e re që pritet të krijohet nga një koalicion në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Deputeti i zgjedhur nga partia e Albin Kurtit, Hekuran Murati, i cili është edhe ekspert i ekonomisë, ka thënë se për këtë çështje duhet bërë patjetër diçka, pasi që kjo situatë nuk mund të vazhdojë si e tillë.
Ai gjithashtu ka thënë se do ta analizojë edhe raportin e nxjerrë nga AKK-ja.
“Patjetër që duhet me dalë me një qëndrim. Kjo normal që duhet të bëhet diçka, nuk mund ta lëmë këtë situatë. Kemi folur edhe vitin e kaluar për këtë çështje ”, ka thënë Murati.
Murati ka thënë se çdo gjë e cila bllokon tregun e lirë do të rirregullohet, përfshirë edhe monopolet.
“Qëndrimi ynë është që çdo gjë që e bllokon tregun e lirë duhet me u rirregullua. Se sidomos monopolet, në këtë rast nuk është momopol, por kemi të bëjmë më shumë me kartel, ku bëhen bashkë më shumë kompani dhe e rregullojnë çmimin”, ka shtuar tutje ai.
Deputeti i VV’së thotë se kjo çështje duhet të trajtohet dhe të diskutohet paraprakisht për të gjetur një zgjidhje afatgjate dhe të qëndrueshme.
“Kjo duhet me u trajtuar. E mënyra se si e bëjmë trajtimin ose qysh e gjejmë një zgjidhje, duhet me u diskutuar paraprakisht për me e gjet një zgjidhje më afatgjate dhe të qëndrueshme”, ka përfunduar Murati.
Dyshohet se 14 kompani të ndryshme që operojnë në Kosovë në nëntor dhe dhjetor të vitit të kaluar e kanë kurdisur çmimin e naftës.
Sipas Agjencisë Kosovare të Konkurrencës, në nëntorin e vitit 2018 fitimi i këtyre kompanive ishte rritur për 60 % , ndërsa në dhjetor kishte shkuar fitimi në 124 %.
Këto kompani dyshohet se kanë fituar 50 centë nga një litër naftë, që atë kohë ishte blerë për 21 centë dhe në Kosovë ishte shitur për 1 euro e 20 centë.
Agjencia Kosovare e Konkurrencës ka paralajmëruar se nëse brenda 1 muaji kompanitë e naftës nuk arrijnë të dëshmojnë se nuk i kanë kurdisur çmimet, atëherë do të gjobiten me 10 për qind të qarkullimit vjetor të të hyrave të tyre.
E këto pretendime se ka pasur kurdisje të çmimit të naftës i ka mohuar Fadil Berjani nga Shoqata e Naftëtarëve.