Dështimi e TC `Kosova e Re` do t’i kushtojë buxhetit 20 milionë euro

Termocentral

Dështimi eventual i projektit të Termocentralit “Kosova e Re”, për fajin e institucioneve të Kosovës, do t’i kushtojë buxhetit të vendit rreth 20 milionë euro.

Projekti po vazhdon të kundërshtohet nga disa subjekte politike dhe shoqëria civile, për shkak të kostos së lartë financiare. Ekspertët e energjetikës thonë se rivitalizimi i Kosovës A do të kishte kosto më të ulët financiare, ndërsa ambientalistët kërkojnë zëvendësimin e termocentraleve me energji të ripërtërishme.

Në muajin dhjetor pritet të fillojnë bisedimet rreth financimit për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, projekt ky që po vazhdon të kundërshtohet për shkak të kostos së lartë financiare dhe arsyeve të tjera.

Reklama e sponzorizuar

Ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, porositi qeverinë në ardhje të ketë parasysh faktin se dështimi i këtij projekti, Kosovës mund t’i kushtojë rreth 20 milionë euro.

” Kjo e ka një kosto financiare, 19,7 milionë është çmimi i kostos që i kushton buxhetit të vendit në rast se projekti tërhiqet me gabim të Parlamentit të Kosovës, çdo gjë tjetër me gabime të Kompanisë “Countur Global”, ne atëherë përfitojmë”, tha Lluka.

Lluka shtoi se Kosova ka interes të jashtëzakonshëm për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, që sipas tij, është jetik për vendin.

E deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati , në një përgjigjeje me shkrim i tha Radio Kosovës se janë të përkushtuar të gjejnë një zgjidhje tjetër për furnizim me energji elektrike me një çmim të përballueshëm. “ “Lëvizja Vetëvendosje është e përkushtuar që të gjejë një zgjidhje e cila përveç që siguron furnizimin e rregullt në një afat të gjatë kohor, rezulton edhe me çmimin më të lirë për qytetarët”, tha Murati.

Drejtori i Kompanisë “Evroenergie”, Hamdi Malushaj, konsideron se zgjidhja e çështjes së furnizimit me energji në Kosovë në vend të ndërtimit të termocentralit të ri, do të ishte rivitalizimi i blloqeve të Kosovës A. Sipas tij, kostoja financiare do te ishte shumë më e ulët dhe me e leverdishme për qytetarin.

“Blloku A4 do të lëshohej i pari, pastaj blloku A3, A2 dhe A5 dhe vit pas viti do të punonin blloqet e vjetra për bllokun e ri, ndërkaq blloku i ri kur lëshohet të punojë për bllokun në rindërtim, dhe kështu do ta kishte financuar vetveten. Kjo ka qenë përparësia ku tash e 4 vite kemi pasur mundësi të kemi këtë energji për ta shfrytëzuar”, tha Malushaj.

Ndërkaq Grupi i organizatave të shoqërisë civile dhe ambientalistët në Kosovë, projektin e Kosovës së Re e konsiderojnë si falimentim të ekonomisë dhe dëmtim të mjedisit dhe shëndetit të njeriut. Në anën tjetër, Skënder Bucolli, drejtor në Departamenti për Marrëdhënie me Publikun në KEK, tha se sa i përket kësaj ideje për rivitalizimit të TC-A-së dhe ndërtimit të TC “Kosova Re”, KEK mendon se ndërtimi i kapacitete të reja energjetike është në interes të vendit.

“Ne mendojmë së ndërtimi i kapaciteteve të reja energjetike si dhe ngritja e efikasitetit dhe besueshmërisë së njësive ekzistuese, është në interes të vendit”, tha Bucolli.

Kosova nuk ka rezerva të tjera përveç thëngjillit për të siguruar energji elektrike. Ndryshe, Qeveria e Kosovës në fund të vitit 2017 ka nënshkruar marrëveshjen komerciale me kompaninë amerikane “Contour Global”, për ndërtimin e këtij termocentrali me kapacitet 500 megavat, i cili parashihet të kushtojë 1.3 miliard euro.