Dështimi epik për hapjen e qendrave të inovacionit nëpër Kosovë

Edhe pse u premtua hapja e së paku katër Qendrave të Inovacionit në tërë territorin e Kosovës, për vitin 2018, Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë (MIN) deri tani ka arritur të hapë vetëm një të tillë.

Ish-Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, në vitin 2017 pati deklaruar se në vitin 2018 do të startohej me hapjen e Qendrave Inovative në Prizren, Mitrovicë, Pejë dhe Prishtinë.

Por, tash që jemi në prag të vitit 2020, në tërë territorin e vendit është hapur vetën një qendër e tillë në Ferizaj, e hapja e së cilës nuk kaloi pa ‘zhurmë’.

Reklama e sponzorizuar

MIN për Buletinin Ekonomik ka deklaruar se kjo ministri  ka paguar mjete në shumë prej 86 mijë e 947.01 eurove për hapjen e kësaj qendre në Ferizaj, si dhe mijëra euro të tjera për  pajisje me mjete dhe renovime në Universitetin e Prishtinës.

“Gjatë vitit 2019,  për furnizim me pajisje laboratorike për nevojat e Qendrës së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në UP, janë paguar mjete në vlerë prej 249 mijë e 546.60 euro, sipas memorandumit të Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina.

Po ashtu janë paguar edhe 9550 euro për “Parapërgatitja e përmasës dhe parallogarisë për renovimin e objektit të laboratorëve të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike”, ka deklaruar Lulzim Ahmeti nga zyra për informim në MIN.

Ahmeti për Buletinin Ekonomik gjithashtu ka deklaruar se së shpejti pritet të ketë edhe qendra të tjera të Inovacionit dhe se hapja e tyre është çështje teknike.

“Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë ka nënshkruar marrëveshje edhe për hapjen e qendrave të inovacionit dhe ndërmarrësisë edhe në Mitrovicë e Shtime, por nuk ka bërë ndonjë shpenzim, pasi që Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” dhe Komuna e Shtimes janë në proces të zhvillimit të procedurave të prokurimit sipas marrëveshjes së tyre me Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.”, kanë deklaruar MIN.

Buletini Ekonomik pati raportuar për zvarritjen e projektit për 1 vit e gjysmë të projektit gjysmë milionë eurosh, për hapjen e Qendrës Inovative në Ferizaj si dhe parregullsitë tjera që e përcollën hapjen e këtij projekti. (Vjollca Duraku) / Buletini Ekonomik/

Më poshtë gjeni artikujt e Buletinit Ekonomik për hapjen e Qendrës së Inovacionit në Ferizaj: