Dhjetori me paga të rritura, 20 sindikata dalin kundër

20 sindikata e grupe ankuesish kanë dërguar ankesa tek institucioni i Avokatit të Popullit lidhur me Ligjin e Ri për Pagat në Sektorin Publik. Pavarësisht kësaj, pagat me rritje pritet të dalin gjatë muajit dhjetor, teksa Avokati i Popullit ka të drejtë ta dërgojë këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese deri në gjashtë muaj pas hyrjes në fuqi të tij, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Më një dhjetor të këtij viti pritet të hyjë në fuqi Ligji i Ri për Pagat në Sektorin Publik. Me hyrjen në fuqi të ligjit pritet të jepen edhe pagat me rritje po gjatë muajit dhjetor. Por kundër këtij ligji deri më tani kanë dalë 20 sindikata e grupe ankuesish, të cilat kanë shprehur pakënaqësi lidhur me nivelizimin e pagave që është bërë përmes këtij ligji, shkruan tutje “Zëri”.

Në ndërkohë një grup i sindikatave javën e kaluar ka paralajmëruar protesta e greva në rast se pagat nuk dalin me rritje gjatë muajit dhjetor, siç parashihet me ligjin e ri.

Reklama e sponzorizuar

Mehdi Geci, zëvendës avokat i Popullit, tha se kanë pranuar shumë ankesa nga sindikatat.

“Kemi pranuar ankesa dhe ne do të dalim me rekomandime. Jemi duke i analizuar të gjitha ankesat. Sipas sindikatave nga ky ligj krijon barazi”, tha ai në televizionin publik.

Geci bëri me dije edhe gjatë hartimit të ligjit kanë opinione.

“Asnjë nga institucionet nuk iu janë përgjigjur Institucionit të Avokatit të Popullit”, tha ai.

Ditë më parë Kushtetuesja ka pezulluar ligjin për zyrtarë publik deri më 28 shkurt 2020.