Një mocion është paraqitur para Parlamentit të Maldiveve i cili i bën thirrje Parlamentit që të hetojë pretendimet se ka pasur korrupsion për njohjen e Kosovës nga Maldivet.
Mocioni është paraqitur të hënën gjatë seancës së Parlamentit nga deputeti maldiv, Mohamed Nasheed Abdulla.
Ish-ministri i Jashtëm maldiv, Ahmed Shaheed, pretendohet të ketë pranuar mito prej 2 milionë dollarësh amerikanë për të njohur Kosovën si shtet sovran pasi shpalli pavarësinë nga Serbia më 2008. Derisa ish-ministri është hetuar pas këtyre pretendimeve, policia ka ardhur në përfundim se nuk ka asnjë dëshmi të korrupsionit dhe se procesi diplomatik ishte kryer në pajtim me standardet ndërkombëtare, raporton avas.
Mocioni i paraqitur të hënën deklaron se ligjshmëria e pavarësisë së Kosovës është vënë në pikëpyetje që kur Kosova e shpalli pavarësinë e saj të njëanshme nga Serbia shkurtin e vitit 2008. Derisa fqinjët më të afërt të Maldiveve, Shri Lanka dhe India, nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, siç nuk ka vepruar as Kina, thuhet në mocion.
Në mocion më tej thuhet se përderisa Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe administrata e NATO-s janë vendosur në rajonin e Kosovës, dhe meqë diskutimet për këtë çështje janë bllokuar në Kombet e Bashkuara, pretendimet që lidhin njohjen e papritur të Kosovës nga Maldivet me pranimin e mitos nga ministri i atëhershëm i Jashtëm është çështje serioze.
Mocioni më tej thotë se pretendimet janë forcuar edhe më shumë nga deklaratat e ndryshme të bëra nga lideri i Aleancës Kosova e Re dhe ministri i tanishëm në detyrë i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, të bëra më 3 nëntor, 2019, shkruan koha.net, përcjell albinfo.ch
“…Derisa ai ka pranuar të ketë shpenzuar para nga xhepat e tij të vetë për të siguruar njohje të pavarësisë së Kosovës nga komuniteti ndërkombëtar, dhe përderisa nuk dihet nëse Maldivet kanë marrë parasysh standardet ligjore ndërkombëtare në mbrojtjen e sovranitetit, integritetit territorial dhe rendit kushtetues të Serbisë apo të ndonjë standardi tjetër në marrjen e këtij vendimi, dhe përderisa nuk dihet nëse qeveria e Maldiveve është takuar me zyrtarë të lartë qeveritar të Serbisë dhe ka mbajtur takime para vendimit, është detyrë e Parlamentit që të përcaktojë dhe të informojë nëse ministri i atëhershëm i Jashtëm dhe zyrtarë tjerë të lartë të qeverisë janë përfshirë në korrupsion, për hir të qytetarëve të vendit”, thuhet në mocion.
Mocioni ftoi për rishikim të njohjes së pavarësisë së Kosovës, dhe bëri thirrje që të sigurohet se vendimi është marrë nga qeveria në pajtim me standardet ndërkombëtare. /Albinfo.ch/