Edhe qytetarët kërkojnë që paga minimale në sektorin privat të jetë 350 euro

Nga 250 sa ishte kërkesa e tyre për rritje të pagës minimale në sektorin privat, tani mbrojtësit e të drejtave të punëtorëve kërkojnë që kjo shumë të rritet edhe për 100 euro.

Sindikalistët kanë vendosur që Qeverisë së re t’i adresojnë kërkesën e re, me të cilën synojnë që paga minimale të jetë 350 euro.

Kjo shkaku i ndryshimeve të standardit të jetesës dhe rritjes për çdo ditë të çmimit të produkteve të konsumit.

Reklama e sponzorizuar

Edhe qytetarët kërkojnë që paga minimale në sektorin privat të rritet.

Ata thonë se një pagë e tillë, nuk i mbulon as shpenzimet minimale që nevojiten për një familje.

Ndërsa, partia fituese e zgjedhjeve, Vetëvendosje, ende nuk ka ndonjë plan konkret për këtë çështje.

Kandidati për deputet, Hekuran Murati, nëpërmjet telefonit ka thënë se vetëm pas takimit të radhës me LDK-në, të enjten, ku pritet të trajtohet edhe paga minimale, do të mund të prononcohen për këtë çështje.

Këshilli Ekonomiko-Social, i cili vendos për rritjen e pagës minimale gjatë këtij viti kishte shqyrtuar mundësinë e rritjes së pagës minimale nga 170 sa është aktualisht, në 250 euro.

Për të njëjtën gjë edhe legjislatura e kaluar kishte diskutuar, për çka deputetët kishin kërkuar që të ketë harmonizim të pagës së sektorit privat me atë publik.