Kreshnik Gashi, nga kjo e hënë, ka marrë pozitën e shefit të Agjencisë së Inteligjencës në Kosovë, derisa Burim Ramadani është emëruar Inspektori i Përgjithshëm i saj.
Gashi, që për disa vjet ka qenë fytyra e rregullatorit të telekomunikacionit, ARKEP, është i afërt me PDK-në, raporton KTV.
Për pesë vjet kishte udhëhequr Komisionin e Përhershëm Qeveritar për Sigurinë e Hetimeve të Aviacionit, në kuadër Zyrës së Kryeministrit.
Ai ka qenë Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme gjatë vitit 2015, në kohën kur në krye të saj ka qenë Hashim Thaçi, atëherë edhe kryetar i PDK-së.
Nga fillimi i vitit 2016, ai u emërua kryetar i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare.
Ndërkohë, Burim Ramadani është fytyrë e kamotshme e AAK-së dhe, në këtë gjysmë-mandat të Qeverisë Haradinaj, ka shërbyer si zëvendësministër i Mbrojtjes.
Ai ishte kandidat i AAK-së për deputet në zgjedhjet e muajit të kaluar, por dështoi t’i merrte votat e mjaftueshme për t’u bërë pjesë e Kuvendit.
Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, e ka kumtuar lajmin nëpërmjet Facebookut, duke i vlerësuar të dy.
“Profilet e të emëruarve si figura publike me integritet dhe ekspertë për siguri, garantojnë profesionalizmin dhe kredibilitetin e AKI-së”, ka shkruar Haradinaj.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka zgjedhur që në faqen zyrtare të Presidencës të tregojë se ka dekretuar dy të emëruarit në këtë institucion.
Veprim të pritshëm e kanë quajtur njohësit e çështjeve të sigurisë, pasi që, sipas tyre, emërime politike, kohëve të fundit, ka pasur mjaft shumë.
KTV-ja ka provuar që të kontaktojë me të dy të emëruarit në këtë institucion, mirëpo asnjëri nuk u është përgjigjur thirrjeve të televizionit.
Shpend Maxhuni, i cili ishte shef i AKI-së, dha dorëheqje më 6 nëntor të këtij viti dhe pritet të kthehet në Policinë e Kosovës.