Teksa qeveria e shpalli gjendjen e emergjencës, Ligji për Mbrojtjen e Civile, i cili hyri në fuqi pak muaj më parë, e detyron atë të kompensojë 100 për qind të dëmeve.
Ish-drejtori i Emergjencave Civile, Shemsi Premçi, tha se, tani qeveria detyrohet të kompensojë në masën 100% qytetarët dhe bizneset për dëmet në prona, orendi dhe në automjete dhe gjëra të tjera materiale.
Por më e keqja, sipas tij për momentin, qëndron te paaftësia që qeveria tregoi për të menaxhuar emergjencën. Duhet që fillimisht të ishte përcaktuar një komandat për emergjencën civile dhe koordinimi i planit të ndërhyrjes, i cili gjithashtu duhet të kishte mbajtur komunikim sistematik median për të ulur panikun në popullatë.
Por gjatë gjithë ditës 26 nëntor, asnjë media nuk ka mundur të komunikojë me qeverinë teksa ekipet e huaja që erdhën për ndihmë kanë pritur më shumë se dy orë që të angazhohen – tha Premçi. Ai tha se të vetëm shërbimi zjarrfikës ishte në lartësinë e detyrës dhe Forcat e Armatosura të Kosovës.
Kushtetuta e Shqipërisë, në nenin 170 të saj thotë “Masat e jashtëzakonshme mund të vendosen për shkak të gjendjes së luftës, gjendjes së jashtëzakonshme ose gjendjes së fatkeqësisë natyrore dhe zgjatin për aq kohë sa vazhdojnë këto gjendje”
Gjithashtu, sipas nenit 174 të kushtetutës, Këshilli i Ministrave mund të vendosë, për një periudhë jo më të gjatë se 30 ditë, gjendjen e fatkeqësisë natyrore në një pjesë ose në të gjithë territorin e shtetit. Nëse nevojitet më shumë kohë, atëherë shtyrja e gjendjes së jashtëzakonshme bëhet nga Kuvendi.
Gjendja e jashtëzakonshme detyron qeverinë dhe njësinë e pushtetit lokal të alokojnë burimet financiare për përballimin e situatës.
Ligji e detyron qeverinë që të përcaktojë afatet dhe masën e kompensimit për dëmet e krijuara si më poshtë:
E drejta e kompensimit
1-Shteti shqiptar përgjigjet për dëmet që shkaktohen nga pasojat e një fatkeqësie.
2- Dëmet përballohen nga vetë bashkitë e prekura nga fatkeqësia, nëpërmjet fondit të dedikuar për mbrojtjen civile.
- Në rast se bashkitë nuk kanë fonde të mjaftueshme për kompensimin, atëherë i planifikojnë ato për vitin pasardhës, deri në masën e kompensimit të subjekteve të dëmtuara.
- Në rast se vlera e kompensimit tejkalon 8 % të buxhetit të bashkisë, Komiteti i Mbrojtjes Civilë vendos që kompensimi të kryhet nga Agjencia Kombëtarë e Mbrojtjes Civile.
- Në çdo rast, kur shpallet gjendja e fatkeqësisë natyrore, kompensimi mund të bëhet me vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit.
- Masa e kompensimit të dëmeve, procedurat, afatet, strukturat shtetërore përgjegjëse për vlerësimin e dëmeve, si dhe pasuritë dhe subjektet që kompensohen miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Masat e gjendjes së jashtëzakonshme funksionojnë si më poshtë:
- Për institucionet publike:
- a) marrjen e masave organizative dhe administrative për përballimin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore;
- b) detyrimin për përdorimin e burimeve financiare të parashikuara në buxhetin vjetor, si dhe rivlerësimin e buxhetit vjetor, në përputhje me kryerjen e shpenzimeve shtesë të paparashikuara;
c-) detyrimin për vënien në dispozicion të burimeve njerëzore dhe logjistike;
ç) caktimin e objekteve shtetërore në përgjegjësinë e tyre të administrimit, që mund të vihen në dispozicion për strehimin e popullsisë së evakuuar;
- d) masa të tjera që ndihmojnë në përballimin dhe lehtësimin e pasojave të fatkeqësisë.
Për strukturat operacionale të sistemit të mbrojtjes civile:
- a) vendosjen dhe zbatimin e masave të veçanta për garantimin dhe rritjen e sigurisë së shtetasve në zonat e prekura nga fatkeqësia;
- b) sipas rastit, aktivizimin dhe organizimin e procedurës së evakuimit të detyruar për popullsinë e rrezikuar;
- c) sipas rastit, organizimin dhe zbatimin e gjendjes së karantinës për popullsinë ose subjektet e prekura;
ç) detyrimin për organizimin e kontrollit të njëanshëm ose në bashkëpunim me komunitetin të banesave dhe objekteve private për gjetjen e të mbijetuarve dhe të viktimave të fatkeqësisë, si dhe procedurat e detyruara për kryerjen e shërbimeve funerale;
- d) sipas rastit, organizimin e procesit të eliminimit dhe të groposjes së detyruar të kafshëve dhe të çdo materiali tjetër që përbën burim infeksioni, epidemie masive, ndotjeje masive, burim radiacioni.
Për subjektet private:
- a) detyrimin për respektimin e procedurave dhe të masave për evakuimin e detyruar dhe strehimin e të evakuuarve;
- b) detyrimin për të informuar lidhur me të dhënat që ndihmojnë institucionet dhe strukturat e mbrojtjes civile në përballimin e gjendjes së fatkeqësisë;
- c) përfshirjen në detyra të veçanta, në përputhje me përgatitjen, aftësitë dhe me nevojën për të ndihmuar në kapërcimin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore;
ç) mbylljen e përkohshme të veprimtarive të subjekteve private, detyrimin për kryerjen e shërbimeve të ndryshme në funksion të përballimit të fatkeqësive, detyrimin për prodhimin e artikujve të emergjencës.
Kompensimi në raste të tilla, kryhet nga buxheti i shtetit, programi “Emergjencat civile”, donacione të ndryshme dhe burime të tjera.
Për shtetasit:
Qytetarët detyrohen për zbatimin e urdhrave, të masave dhe të udhëzimeve të autoriteteve të mbrojtjes civile, si dhe ndjekjen e procedurave të kërkuara, në mënyrë të veçantë për evakuimin e detyruar;
Detyrimin për të informuar lidhur me të dhënat që ndihmojnë institucionet publike dhe strukturat e mbrojtjes civile në përballimin e gjendjes së fatkeqësisë;
Përfshirjen në detyra të veçanta, në përputhje me përgatitjen, aftësitë dhe me nevojën për të ndihmuar në kapërcimin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore.