Gjykata e Prishtinës tjetërson jashtëligjshëm pronën milionëshe të RTP-së

Parcelën rreth 80 arësh, e cila gjendet në lagjen Veternik, në Prishtinë, Radio-Prishtina e ka humbur në emër të një “borxhi të Radiotelevizionit të Kosovës”.

Shkumbin Qehaja, nëpërmjet gjykatës, në emër të “një borxhi që RTK-ja i obligohet” është bërë para disa muajsh pronar i parcelës 1781/2, e cila është pronë e Radio-Prishtinës. Radiotelevizioni i Kosovës nuk është trashëgimtar i pasurisë së Radio-Prishtinës, shkruan sot “Koha Ditore”.

Pasuria e Radio-Prishtinës menaxhohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit- AKP. Ky institucion nuk ka qenë fare në dijeni për vendimin e gjykatës që ia ka marrë rreth 80 arë, që i ka pasur nën mbikëqyrje.

Reklama e sponzorizuar

Toka në vlerë milionëshe, që ishte deri në maj pronë shoqërore, ka kaluar në emër të pronarit privat, bazuar në një aktgjykim të gjyqtarit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Lekë Prenaj.

Gazeta e ka vërtetuar se prona e RTP-së tashmë në kadastër figuron në emrin e një pronari privat.