“Koha Ditore” në një shkrim që u publikua sot në numrin e sotëm, nga Zyra e Kryeministrit ka siguruar faturat për shpenzimet për dreka e darka të kabinetit të Qeverisë Haradinaj.
Në Interaktiv të KTV-së, Haradinaj tha se shifra prej mbi 506 mijë euro vetëm për dreka është e gabuar, kjo pasi që, siç tha ai, ato fatura as nuk e di kush i ka dërguar.
“Këtë shifër e kanë dhënë zyrtarët e zakonshëm, por s’është ashtu. Janë pritje protokollare, të gjitha daljet bilaterale, i kanë paketuar në një kategori ‘dreka’. Por s’është ashtu, është rrenë. Personi që i ka dhënë këto të dhëna, nuk e di kush është e as ku punon. Unë kam ngrënë shumë rrallë dreka të reprezentacionit shtetëror. Nuk e përjashtoj që 500 mijë euro janë reprezentacion. Por, s’janë të gjitha për dreka. Nuk është se s’janë zyrtare këto të dhëna, por unë jam i interesuar t’i japim të gjitha faturat e shpenzimeve”, u shpreh ai.
Ai tha se kartelën e shtetit e ka përdorur vetëm në tri raste, ndërsa thotë se në një rast ka paguar 2800 dollarë nga xhepi i vetë.
“Tri herë e kam përdorur kartelën time të shtetit. Njëherë për akomodim në Nju Jork, për tjerat raste s’po më kujtohet. Ndërkaq, një herë kam paguar nga paratë e mia 2800 dollarë, ato mi ka borxh shteti, por s’i kam dërguar asnjëherë faturat. Për pije alkoolike e meze s’ka shanse ta kem përdorur kartelën time të shtetit”, deklaroi Haradinaj.