Familjeve në nevojë, Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) për festën e Kurban Bajramit iu kishte shpërndarë mish të prishur, i cili mish po mbahej në disa depo të Kosovës e që vendi ku mbahej mishi ishte i tmerrshëm. Për këtë skandal, ende janë duke u zhvilluar hetime nga Prokuroria, ndërsa tashmë është autorizuar që më këtë çështje të merret edhe Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Policinë e Kosovës.
E gjitha nisi me raportimin e mishit të prishur që po mbahej në një depo në Veterrnik, por që kjo nuk ishte e vemja depo në të cilën po gjendej mishi i prishur i BIK-u, për t’iu shpërndarë më pas familjeve në nevojë.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës (AUV) ka arritur t’i asgjësoj 32 mijë e 100 kilogramë mish të prishur të Bashkësisë Islame të Kosovës që ishte dedikuar për festën e Kurban Bajramit. Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka mësuar se në njërën prej depove ishte gjetur mishi i kurbanëve të vitit të kaluar (2018).
Asgjësimin e këtij mishi e ka bërë të ditur për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, zyrtari i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Lamir Thaçi.
Për hetimin e mishit të prishur në Veterrnik, Prokuroria Themelore e Prishtinës e ka autorizuar Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, kështu kanë bërë të ditur për FaktePlus të dy këto institucione.
FaktePlus sjellë kronologjinë se si ndodhi e gjitha, nga depoja në Veterrnik e deri në Medresën “Alaudin” në Prizren.
Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) me 10 qershor kishte lidhur kontratë me një subjekt në seli në Dubravë të Komunës së Istogut për furnizim me gjedhe për Kurban me sasi prej 241 krerë gjedhe.
Me 20 gusht AUV mori informacion se po shpërndahej mish i prishur nga BIK, ku inspektorët e tij menjëherë dolën për të hetuar se ku po mbahej mishi. E në mëngjesin e 21 gushtit, zyrtarët e BIK iu drejtuan AUV në Drejtorinë e Shëndetit Publik për të kërkuar që të inspektohet prej inspektorëve veterinar se lejohet apo jo për konsum.
Depoja në Veterrnik që ishte kontraktuar nga BIK nuk ishte e licencuar nga AUV.
Megjithatë, në këtë depo BIK kishte vendosur 1 mijë e 520 pako, ku secila pako kishte nga 15 kilogramë.
“Fillimisht është inspektuar një depo frigo, me seli në lagjen Veterrnik Zona industriale pa nr. në komunën e Prishtinës , depo e kontraktuar nga Bashkësia Islame e Republikës së Kosovës, është konstatuar se në depo janë të vendosura 1,520 pako ku përafërsisht një pako ka qenë rreth 15 kg. Sipas zyrtarëve të B.I.K-ut një sasi është shpërndarë dhe në depo kanë qenë rreth 1400 pako me nga 15 kg mish gjedhi”, tregon Thaçi.
Inspektorët kanë konstatuar se mishi i gjedhit nuk ishte i ngrirë dhe si pasojë ka ardhur deri te prishja e kundërmimi e që më pas mishi ka filluar edhe të kalbet.
Në këtë depo ishin rreth 21 ton mish.
“Pas kontrollit të pakove, matjes së temperaturës së mishit është konstatuar se në brendësi mishi i gjedhit nuk është ngrirë dhe temperatura ka qenë +2 deri 8 C dhe si pasojë ka ardhur deri tek prishja dhe i njëjti kundërmonte erë të keqe pasi që mishi kishte filluar procesin e putrifikimit (kalbëzimit). Sipas zyrtarëve sasia e cila ishte në depo ishte përafërsisht rreth 21 Ton. Pas sigurimit mjeteve logjistike nga ana e BIK-ut, mishi është vendosur ne automjete të mbeturinave të kompanisë KMDK SH.A. DS në Mirash –Obiliq, ku dhe sipas dy faturave të lëshuar nga kjo kompani sasia totale e mishit të asgjësuar është 25,260 kg”, tregon Thaçi.
AUV kishte marrë informacion për mish të prishur edhe në një thertore në Istog. Gjatë inspektimit të inspektorëve të AUV me datën 22 gusht kishte konstatuar se 28 karkasa të gjedheve për shkak se kishin nisur të kalbeshin nuk lejoheshin për konsum.
Me ç’rast me kërkesë të BIK-ut që kishte adresuar në Drejtorinë e Bujqësisë në Komunë e Istogut, është bërë asgjësimi i 4 mijë kilogramë mish të prishur. Gjithçka ishte në mbikëqyrje të inspektorëve veterinarë të Komunës së Istogut dhe AUV.
“Duke pasur parasysh datën e therjes së kafshëve dhe informatës se një sasi e mishit të therur në thertore në Istog ende është ne depo të subjektit në fjalë dhe nuk është shpërndarë është kërkuar nga koordinatori i zyrës regjionale në Pejë që të dërgoi inspektorët për inspektim të mishit në thertore. Inspektoret gjatë inspektimit të mishit me datën 22.08.2019 është konstatuar se 28 karkasa te gjedheve të therura për arsye të fillimit te proceseve te kalbëzimit te mishit nuk lejohet për konsum dhe mishi në sasi prej 4,000 kg me vendim është ndaluar që të largohet nga depoja ftohëse deri ne kryerjen e procedurave logjistike për asgjësim. Pas kërkesës së BIK-ut me datën 22.08.2019 në Drejtorin e Bujqësisë në komunën e Istogut për asgjësim te mishit, e gjithë sasia e mishit është asgjësuar nën mbikëqyrjen e inspektorëve veterinarë të komunës së Istogut dhe AUV-së”, tregon Thaçi për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus.
Mirëpo nuk përfundon e gjitha këtu. Vazhduan të dalin informacione tjera lidhur me shpërndarjen e mishit të kurbaneve me automjetin për bartjen e kufomave në Komunën e Prizrenit.
Zyrtarët e BIK në Prizren kishin mohuar që me këtë automjet ishte shpërndarë mish kurbani, duke thënë se në mungesë të automjeteve është bërë vetëm monitorimin e shpërndarjes së mishit të kurbaneve me këtë automjet.
E Thaçi tregon se si vepruan inspektorët e AUV në këtë rast.
“Pas informacioneve tjera të dala në rrjetet sociale mbi shpërndarjen e mishit te kurbaneve me automjet për bartjen e kufomave në komunën e Prizrenit, transport sipas të dhënave të pa konfirmuara është nga zyrtarët e BIK-ut, është bërë inspektimi i Bashkësisë Islame në Prizren me datën 23.08.2019. Zyrtaret e BIK Prizren janë deklaruar se me këtë automjet nuk është shpërndarë mish kurbani, por në mungesë të automjeteve është bërë monitorimi i shpërndarjes së mishit të kurbaneve me këtë automjet, po ashtu deklarojnë se KBI nuk bën therjen e kurbaneve, por therjen dhe mbikëqyrjen e bën Kryesia e Bashkësisë Islame në Prishtinë dhe se shpërndarjen e mishit e bën përmes Këshillave të Bashkësisë Islame në teren dhe nuk ka sasi te mishit të pa shpërndarë”, shpjegon Thaçi.
E në hapësirat e paraleles së ndarë të Medresesë “Alaudini” në Prizren, në një depo ftohëse është gjetur një sasi e mishit nga therja e kurbanëve të vitit të kaluar (2018).
Ishin 142 pako apo 2 mijë e 840 kilogramë mishi i kurbanëve nga viti i kaluar.
Tek pas inspektimeve, Medresa “Alaudini” kishte bërë kërkesë për asgjësimin e këtij mishi.
E me 29 gusht 2019, kompania Ekoregjioni bërë asgjësimin e 2 mijë e 840 kilogramë mishi të kurbanëve.
“Inspektoret e AUV-së kanë inspektuar hapësirat e paraleles së ndarë të Medresesë ‘’Alaudin’’ në Prizren e sidomos depon ftohëse (frigo dhoma) me ç’rast është konstatuar se në depo gjendet një sasi e mishit nga therja e kurbaneve të vitit të kaluar (2018) me afat skadence: 21.08.2019 janë 2 pako, 22.08.2019 janë 38 pako, 23.08.2019 janë 14 pako dhe 24.08.2019 janë 88 pako. Pakot përafërsisht peshojnë 20 kg, që në total janë 142 pako ose 2840 kg. Nga ana e Medresesë “Alaudin” është bërë kërkesë për asgjësimin e mishit me afat të skaduar pas ndalimit dhe marrjes së vendimit për asgjësim derisa ishim në inspektim tek BIK në Prizren. Sasia e mishit është asgjësuar me datën 29.08.2019 nga ana e kompanisë Ekoregjioni, ku sasia e mishit të asgjësuar ka qenë 2,840 kg”, ka treguar për FaktePlus Thaçi.
Nëse i marrim në total të gjitha rastet e lartpërmendura, del që janë asgjësuar 32 mijë e 100 kilogramë mish i kurbanëvë.
Në AUV thonë se prishja e mishit ka ardhur si rezultat i mos planifikimit me kohë të menaxhimit të kafshëve të therura dhe shpërndarjes së mishit si dhe kushtet jo adekuate për mirëmbajtjen e mishit.
AUV thotë se ka ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore në këto raste.
Lidhur me rastin e mishit të prishur në depon në Veterrnik, Prokuroria Themelore pati nisur hetime, e tashmë ky instiotyucion ka autorizuar që të merret edhe Departamenti i Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Policinë e Kosovës.
Këtë e ka bërë të ditur për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, zyrtarja për media nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, Laureta Ulaj.
“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë-Departamenti i Përgjithshëm, ka autorizuar Policinë e Kosovës-Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, që të ndërmarrin të gjitha veprimet hetimore, për ndriçimin e kësaj çështje penale. Aktualisht, ky rast ndodhet në fazën e zhvillimit të procedurës hetimore”, ka thënë Ulaj në një përgjigje me shkrim.
E në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Policinë e kosovës, i kanë treguar FaktePlus se janë ende në procesin e mbledhjes së provave që kanë relevancë për këtë vepër.
“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit DPP/Prishtinë, lidhur me çështjen e dyshuar penale “mishin e prishur në Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK)” është duke zhvilluar hetim intensiv/gjithëpërfshirës. Në këtë fazë hetimore jemi ende në proces të mbledhjes së të gjitha provave që kanë relevancë me figurën e dyshuar të veprës penale”, thonë për FaktePlus nga kjo drejtori.
Ndërkaq, lidhur me asgjësimin e mbi 30 mijë kilogramëve mish të kurbanëve që u gjet i prishur, FaktePlus ka dërguar pyetje në adresë të BIK-ut, por këta të fundit nuk janë përgjigjur as në telefon as nuk kanë kthyer përgjigje me shkrim.
Kujtojmë që me 29 gusht 2019, BIK kishte mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme në të cilën kishte shqyrtuar gjendjen e krijuar pas prishjes së një sasie të mishit të kurbanit të therur në thertoren në Istog.
Në njoftimin për media thuhej se kryesia e BIK pasi dëgjoi raportin e Komisionit të Kurbanit për ecurinë e aksionit të therjes së kurbaneve gjatë ditëve të Kurban Bajramit, pastaj për hapat që kanë marrë pas shfaqjes së dyshimit për cilësinë e mishit, mori vendim që të formojë një komision hetues, i cili do të zbardh rrethanat dhe shkaqet që çuan në prishjen e mishit.
“Komisioni ka për detyrë që në afat prej një muaji të shqyrtoj dhe analizoj të gjitha rrethanat dhe në bazë të të gjeturave të përgatit raport, në bazë të së cilit Kryesia do të ndërmarrë masat e duhura. Kryesia e BIK në mbledhjen e sotme edhe njëherë shprehu përkushtimin e saj në realizimin e plotë të amaneteve që na janë besuar nga besimtarët, ndërsa për këtë që ka ndodhur kësaj radhe, Kryesia e BIK kërkon ndjesë nga besimtarët tanë të devotshëm, të cilëve u rikujtojmë edhe njëherë se nijeti i tyre për kurban është realizuar plotësisht. Kryesia e BIK i kërkon ndjesë e falje edhe kategorive sociale si përfituese të drejtpërdrejta të mishit të kurbanit si palë e dëmtuar. Në të ardhmen do të merren të gjitha masat e duhura që gjërat e tilla të mos na ndodhin”, thuhej në njoftim./FaktePlus