Ikjet masive në vitet e fundit, a do të ketë Kosova më pak popullsi në vitin 2021

Viti 2021 për Kosovën do të jetë vit i regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave.

E, tashmë dihet që regjistrimi i popullsisë bëhet çdo një dekadë, shkruan FaktePlus.

Ndërsa, është planifikuar që regjistrimi të zgjasë saktësisht një muaj.

Reklama e sponzorizuar

Kështu, ka thënë drejtori i Departamentit të Statistikave Sociale, departament ky i cili funksion në kuadër të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Avni Kastrati.

“Regjistrimi është planifikuar të realizohet nga data 01-30 Prill, 2021”, ka thënë ai.

Kastrati, ka deklaruar se ASK tashmë ka filluar me përgatitjet për regjistrim, deri sa ka shtuar se regjistrimi i popullsisë është shumë me rëndësi për Kosovën.

Ndërsa, ka treguar edhe se sa do t’i kushtojë Kosovës ky regjistrim.

“Kostoja totale është paraparë të jetë rreth 12.3 milionë euro”, ka deklaruar Kastrati.

Ndërsa, duke e ditur që në vitet e fundit nga Kosova ka pasur ikje masive të qytetarëve për në vendet e huaja, Kastrati ka pohuar se numri pritet të jetë përafërsisht i njëjtë, por me një zvogëlim të vogël.

“Bazuar në të dhënat aktuale pritet numër i njëjtë i popullsisë me një zvogëlim të vogël”, ka thënë Kastrati, për FaktePlus.

Në vitin 2011, kur edhe ishte bërë regjistrimi i popullsisë së Kosovës, në këtë regjistrim nuk ishin përfshirë komunat  me shumicë serbe, si Leposaviqi, Zubin Potoku, Zveçani dhe Mitrovica e Veriut.

E, si shkak i kësaj, si bazë kryesore për vlerësim për këto komuna është marrë ”Azhurnimi 2008-2009”.

Por, ndryshe nga atëherë Kastrati thotë se në vitin 2021 regjistrimi do të zhvillohet edhe në komunat me shumicë serbe dhe se përgatitjet janë duke i bërë edhe për ato komuna.

“Regjistrimi do të zhvillohet edhe në ato komuna dhe përgatitjet po bëhen për të gjitha komunat e Kosovës”, ka thënë ai.

Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Isa Krasniqi ditë më parë kishte thënë se përgatitjet për regjistrim të popullsisë në vitin 2021 kanë filluar qe dy vjet dhe se tani janë në fazën kur kanë edhe koncept-dokumentin që kërkon të aprovohet nga Qeveria e pastaj edhe nga  Kuvendi i Kosovës.

Sipas tij, procesi i regjistrimit të popullsisë do bëhet sipas standardeve evropiane dhe do ketë impakt të rëndësishëm për Kosovën.

Prandaj në lidhje me këtë Krasniqi kërkoi përkrahjen e të gjitha institucioneve të vendit.

Nga Regjistrimi i Popullsisë i vitit 2011 numri përgjithshëm i banorëve të regjistruar në Kosovë ishte 1 milionë e 739 mijë e 825, pa përfshirë këtu banorët e komunave të Leposaviçit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Mitrovicës së Veriut. /FaktePlus/