Kamata në disa institucione mikrofinanciare 74%, BQK thotë “nuk ndërhyjmë në tregun e lirë”

Buletini Ekonomik këtë javë ka realizuar një hulumtim rreth kamatave të larta që po aplikojnë disa prej institucioneve mikrofinanciare në Kosovë.

Deri në 74 për qind kamatë janë duke paguar qytetarët e Kosovës për produktet që blejnë përmes këtyre institucioneve.

E IuteCredit është njëra prej këtyre institucioneve. Në dy produkte që ka lëshuar ky institucion, Buletini Ekonomik ka gjetur se qytetarët kanë paguar deri në 74 për qind normën efektive të interesit për produktet e tyre.

Reklama e sponzorizuar

Buletini Ekonomik ka pyetur edhe në BQK se a janë në harmoni me rregullativën e tyre si Rregullator këto kamata.

Ndërsa përgjigjet e tyre, nga zyrtari për informim në BQK, Kushtrim Ahmeti, thonë se në Kosovë nuk ka ndonjë akt ligjor që e rregullon kufirin e kamatës, dhe se BQK-ja vepron në pajtim me parimin e ekonomisë së tregut të hapur në raport me konkurrencën e lirë.

“Ligji për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, përcakton se BQK vepron në pajtim me parimin e ekonomisë së tregut të hapur me konkurrencë të lirë. Në këtë drejtim, në Kosovë nuk ka ndonjë akt ligjor që rregullon kufirin e kamatës”, thuhet në përgjigjet nga ana e BQK-së.

Sipas tyre, BQK-ja, në kuadër të kompetencave të saj që rrjedhin nga ligjet relevante, kryen ekzaminime mbi atë nëse shpalosja e normave të interesit nga bankat është në harmoni me kërkesat ligjore dhe rregullative në fuqi. Mirëpo, në rastet kur vërtetohet që bankat kanë shpalosur normat e interesit në kundërshtim me kornizën rregullative në fuqi, atëherë BQK-ja ndërmerr masa konform Ligjit për Bankat dhe akteve tjera ligjore në fuqi.

Përderisa BQK-ja si Rregullator kryesor i të gjitha institucioneve financiare dhe atyre mikrofinanciare në Kosovë thotë se nuk ndërhyjnë në tregun e lirë, nga IuteCredit, specialisti i marketingut brenda këtij institucioni, Nazim Qarri ka theksuar për Buletinin Ekonomik se çdo raport kontraktual me klientët e saj rreth produkteve, IuteCredit e bënë konform dispozitave dhe akteve nën ligjore të BQK-së.

Sipas një produkti që ata kanë paraqitur, që është një telefon Samsung A10 S, klientët për telefonin e njëjtë që nëpër dyqanet e tjera të telefonave kushton jo më shumë sesa 140 euro, do të paguajnë 74 ose 63 euro më shumë për një vit, pasi varet se në cilin Mobilshop e merr telefonin.

Oferta e tyre ishte që për 12 muaj këtë telefon mund ta paguajnë me këste mujore prej 16.99 euro, e që kur llogariten shuma finale del të jetë 203 euro. Pra, 74 euro më shumë sesa çmimi kryesor.

Nga ana tjetër, BQK-ja ka sqaruar gjithashtu se në rastet kur konsumatorët dyshojnë se kanë paguar ngarkesat më të larta se norma efektive e interesit, të përcaktuara në kontratën mes palëve, atëherë konsumatorët paraprakisht duhet të kontaktojnë dhe kërkojnë sqarime nga banka, ndërsa hapi tjetër është që të parashtrojnë ankesë edhe në Divizionin e Ankesave në BQK, ku më pas i njëjti divizion do ta shqyrtoj rastin dhe do të procedoj në harmoni me Ligjet dhe Rregulloret në fuqi të saj. /Buletini Ekonomik/