Ligji i pagave i cili nis së zbatuari nga 1 dhjetori i këtij viti pritet të rregullojë pagesën për punonjësit që marrin paga nga buxheti i shtetit, ku koeficienti më i lartë është 10 dhe më i ulëti është 1, ndërsa, vlera monetare e koeficientit për vitin e parë do të jetë 239 euro.
Në bazë të Ligjit, presidenti i Kosovës pritet ta ketë pagën më të lartë dhe do të paguhet sipas koeficientit 10, derisa kryeparlamentari, kryeministri dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese do të paguhen me koeficientin 9.
Sipas koeficientit presidentit të Republikës, Hashim Thaçi do t’i zbritet paga aktuale nga 2,672 euro në 2,390 euro. Po ashtu, edhe kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj që ka pagën aktuale 2950 euro, me ligjin e ri, paga e kryeministrit do të jetë me koeficientin 9 ose 2151 euro në muaj (799 euro më pak se paga aktuale).
Që i bie se edhe kryeministri i ardhshëm do të merr 2 mijë e 151 euro rrogë.
Koeficient të njëjtë me kryeministrin do të ketë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese. Paga aktuale e kryetarit të Kuvendit është 2555 euro, ndërsa me ligjin e ri do të ketë pagën 2,151 apo 404 euro më pak se paga aktuale.
Ky ligj i cili është miratuar në Kuvendin e Kosovës në shkurt të këtij viti fillon së zbatuari nga dhjetori.