Çështja e kryeministrit të ardhshëm nuk ka nevojë të negociohet, kanë thënë të hënën burime në Lidhjen Demokratike (LDK). E kanë bërë të qartë këtë vetëm një ditë pasi Lutfi Haziri, i cili i prin ekipit të kësaj partie në negociatat për marrëveshjen e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), ka nxitur reagime me deklarimin se emri i të parit të Qeverisë kalon nëpër zyrën e LDK-së.
Një nga anëtarët e ekipit të LDK-së që zhvillon takimet me LVV-në ka folur në kushte anonimiteti për Kohën Ditore, kur ka përmendur parimin e dakorduar prej kohësh rreth postit të kreut të Ekzekutivit.
“Ende nuk kemi mbërritur në fazën kur diskutohen postet, sepse jemi në diskutime tematike për programin. Por, e kemi thënë se kush e ka një votë më shumë i takon kryeministri”, ka thënë ky eksponent i LDK-së. “Ndarja e posteve ende nuk është temë”.
Një ditë më parë Haziri, i cili është edhe nënkryetar i LDK-së, ka shkruar në rrjete sociale se asnjë parti nuk mund ta formojë qeverinë e vetme, shkaku që sistemi zgjedhor në Kosovë nuk e mundëson këtë, dhe ka theksuar se vendi ka nevojë për qeverisje të mirë, si për ajër. Por, ajo që ka thënë të jetë e qartë është se “emri i kryeministrit kalon nëpër zyrë të LDK-së”.
Kjo deklaratë ka nxitur reagime të mëdha në LVV, meqë është lexuar si përcaktim i LDK-së për ta vënë në tavolinën e diskutimit edhe postin e kryeministrit.