Derisa një memorial nuk është përfunduar në tërësi edhe pas rreth 7 vjetëve, shumë shpejt pritet të fillojë të restaurohet.
Kjo pasi që Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Komunën e Ferizajt, për ndërtimin e “Parkut Memorial të UÇK-së” në Jezercë.
Ministri i Mjedisit në largim, Fatmir Matoshi, javën e kaluar ka nënshkruar edhe një bashkëpunim tjetër, me njërën nga komunat që udhëhiqet nga PDK-ja, respektivisht atë të Shtimes, parti me të cilën edhe ishin në koalicion gjatë qeverisjes së kaluar.
Ani pse shoqëria civile thotë se kjo është e kundërligjshme, për Matoshin kjo nuk paraqet aspak problem.
E Komuna e Ferizajt tashmë ka filluar me procedurat e prokurimit, pa asnjë problem.
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, që nga dorëheqja e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në shtator të këtij viti, ka nënshkruar dhjetëra memorandume të tilla.
Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Mjedisit, vetëm në vitin 2019, kjo ministri ka nënshkruar rreth 52 memorandume bashkëpunimi me komunat e Kosovës.