Për më pak se dy vite, Ministria e Financave ka shpenzuar afër 200 mijë euro për paga, reprezentacion, udhëtimet jashtë vendit, shfrytëzimin e automjeteve zyrtare dhe furnizimin e tyre me karburante, si dhe për shërbimet e telefonisë mobile nga ministri dhe zëvendësministrat.
Duke u mbështetur në LIGJI NR. 06/L-081 për qasje në dokumente publike, Redaksia e gazetës “Zëri” ka kërkuar nga Ministria e Financave të Republikës së Kosovës që t`i sigurojë dokumentet që kanë të bëjnë me shpenzimet e ministrit Bedri Hamza dhe kabinetit të tij, për udhëtime dhe mëditje si dhe për shpenzimet tjera nga ky dikaster qeveritar.
Buxhetit të shtetit padyshim se më së shumti i kanë kushtuar pagat. Duke përfshirë ministrin dhe katër zëvendësministrat, vetëm për pagat e tyre janë shpenzuar më shumë se 120 mijë euro, shkruan tutje gazeta “Zëri”.
Për pagat e ish-ministri Bedri Hamza dhe katër zëvendësministrave të tij, janë shpenzuar hiç më pak se 118 mijë e 182 euro. Nga paga mujore prej 1 mijë e 271 euro sa e kishte ish-ministri, ai buxhetit të shtetit me pagën e tij i ka kushtuar afër 29 mijë euro. Në anën tjetër Bojan Stojanoviq për këto dy vite ka marrë gjithsej 19 mijë e 764 euro pagë. Edhe ish-zëvendësministri Mustafa Granica ka marrë gjithsej 22 mijë e 881 euro pagë përgjatë dy viteve . pak më shumë mori Fatmir Gashi. Nga paga vjetore ai grumbulloi 24 mijë e 495 euro. Ndërsa Hyzer Gashi nga grumbullimi i pagës mujore nga kjo ministri mori pagë 22 mijë e 183 euro.