Kosova e ka paguar një çmim të lartë të tranzicionit ku shumë segmente të rëndësishme shtetërore dhe kombëtare u rrënuan, e në veçanti kanë pësuar ekonomia dhe arsimi. Vendosja e njerëzve të paditur në pozita kyçe institucionale, sipas Safet Gërxhaliut, prodhon byrokraci, nepotizëm, korrupsion dhe dëmton imazhin e shtetit. Nga mos implementimi i projekteve kapitale shumë biznese do ta kenë të pamundur kthimin e kredive. Pse Kosova duhet të ketë domosdo një termocentral të ri, një shkritore dhe një fabrikë të akumulatorëve? Ekonomia duhet të depolitizohet dhe për ekonominë të mos flitet vetëm në fushata zgjedhore.
Mehmet GJATA
“Është e vështirë të mendohet zhvillimi ekonomik në Kosovë, derisa në agjendën institucionale dominojnë problemet politike dhe besoj që Kosova është peng i zhvillimit dhe peng i mungesës së investorëve të huaj, mu nga fakti i problemeve politike dhe mungesës së një marreveshjeje në mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Safet Gërxhaliu, ish-kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës dhe njohës i zhvillimeve ekonomike, i shquar edhe për ide interesante zhvillimore, në një intervistë më të gjatë për Buletinin Ekonomik.
Sipas Gërxhaliut, në këtë kohë kur Kosova ka nevojë për investime kapitale dhe për projekte prej më të ndryshmeve ekonomike, qoftë në nivel lokal apo atë qendror, është e pakuptimtë kjo ngurosje e institucioneve për të investuar në këto projekte nga të cilat do të përfitonin bizneset dhe përmes afarizmit të krijuar do të krijonin vende të reja të punës për të cilat Kosova ka aq shumë nevojë. Është e pakuptimtë dhe e pa argumentuar që për 7 muaj të këtij viti nuk është shpenzuar as 10% e buxhetit për investime kapitale, nga e cila mungesë, këto mjete po përjetojnë amortizim moral sepse janë të goditura nga hiperinflacioni, ku 100 euro të sotshme nuk e kanë vlerën e 80 eurove nesër.
Safet Gërxhaliu në intervistën për Buletinin Ekonomik ka qenë decidiv për nevojën e ndërtimit të një termocentrali të ri 600 megavatësh në Kosovë, duke shpjeguar se pse Kosovës i duhet domosdo një shkritore për ta valorizuar vlerën e metaleve të shumta të Kosovës dhe pse Kosova duhet të rindërtojë një fabrikë të re të akumulatorëve.
Sipas Gërxhaliut, një ndër fushat më të rëndësishme në botën moderne është digjitalizimi dhe në këtë drejtim Kosova duhet të jetë e orientuar që në 5 vjetët e ardhshme, digjitalizimin dhe edukimin t’i ketë prioritetet e prioriteteve, jo vetëm për nevojat e Kosovës, por edhe për eksport të shërbimeve dhe projekteve të sofistikuara.
Intervistën e plotë të Safet Gërxhaliut për Buletinin Ekonomik mund ta lexoni në vijim:
Buletini Ekonomik: Pse ka ngecur Kosova në zhvillimin ekonomik dhe proceset zhvillimore në përgjithësi? Ku janë shkaqet, sipas jush? Në këtë kontekst pse po vazhdon pak a shumë njëfarë apatie dhe indolence evidente në zhvillimin më të efektshëm dhe më të frytshëm ekonomik edhe e Qeverisë Kurti 2, thuaja goxha njëjtë me qeveritë e kaluara që dështuan në këtë aspekt?
Safet Gërxhaliu: Si duket Kosova e dëshmoi të vërtetën se tranzicioni është periudha më e vështirë e një shoqërie, e cila i përngjan një lumi të egër të rritur pas shirave që në sipërfaqe sjellin mbeturina të shumta. Në këtë drejtim, Kosova e pagoi një çmim të lartë të tranzicionit ku shumë segmente të rëndësishme shtetërore dhe kombëtare u rrënuan, e në veçanti ekonomia dhe arsimi.
Gërshetimi i faktorit ndërkombëtar dhe atij vendor nën ombrellën e UNMIK-ut dhe të strukturave të ndryshme në kuadër të institucioneve të përkohshme vetëqëverisëse goditën dhe rrënuan ekonominë, në rend të parë, bazuar në mungesën e përgjegjësisë tek faktori ndërkombëtar dhe në rend të dytë vendosja e vendorëve të paditur dhe joprofesionistë në pozita kyçe, por me plot vullnet e gatishmëri për vjedhje dhe shkatërrim. Kur krejt kësaj i shtohet procesi i egër i privatizimit nën umbrellën e AKM-së dhe më vonë nën AKP, kur në vitet e pasluftës kanë egzistuar 850 ndërmarrje publike dhe shoqërore, afër 30 mijë hektarë toke dhe sefat e bankave plot me para të atëhershme, valuta, ari e platin, të cilat u zhdukën dhe, kështu, u krijua një shtresë e njerëzve shumë të pasur dhe të fuqishëm karshi një shtrese me vlera, e cila mbeti nën hije dhe e anashkaluar nga çdo gjë.
Këta “sulltana” të rinj të Kosovës përmes këtij procesi të gllabërimit, u forcuan ekonomikisht dhe arritën të faktorizohen politikisht duke rrëmbyer pozita të larta institucionale dhe për të shpëtuar nga e kaluara gllabëruese, e rrënuan sistemin e drejtësisë dhe një shtet me sistem të drejtësisë të rrënuar, që zhvillimin ekonomik e ka dëshirë por jo realitet.
Nuk e kam brengën e rrënimit të ekonomisë, mungesës së vizionit afatmesëm apo afagjatë të Republikës së Kosovës, por brenga më e madhe për mua është shkatërrimi i arsimit dhe degradimi i universiteteve të politizuara dhe të privatizuara, që sot shumë më tepër prodhojnë diploma se sa dije dhe kuadro të nevojshme për zhvillimin e shtetit tonë.
Vendosja e njerëzve të paditur në pozita kyçe institucionale prodhon byrokraci, nepotizëm, korrupsion dhe dëmton imazhin e shtetit.
Problemet nga e kaluara janë të shumta dhe kur krejt kësaj i shtohet që jemi të goditur nga pandemia COVID-19, pandemia ekonomike dhe nga efekte negative nga lufta në mes të Rusisë dhe Ukrainës, e dëshmojnë faktin e hidhur që Kosova është e goditur ekonomikisht në forma të ndryshme, por brenga më e madhe është inflacioni 19,20% dhe ngritja e çmimeve të produkteve strategjike dhe elementare në masë të pakontrolluar që po e godet qytetarin e Kosovës në çdo aspekt.
Është e vështirë të mendohet zhvillimi ekonomik në Kosovë, derisa në agjendën institucionale dominojnë problemet politike dhe besoj që Kosova është peng i zhvillimit dhe peng i mungesës së investorëve të huaj, mu nga fakti i problemeve politike dhe mungesës së një marreveshjeje në mes Kosovës dhe Serbisë.
Buletini Ekonomik: Në këtë kontekst, si do t’i komentoni ngecjet evidente të investimeve kapitale gjatë këtij viti? Pse po ngurrohet kaq shumë që të angazhohen paratë e parapara për investime kapitale, kur dihen sa shumë nevoja ka Kosova për investime?
Safet Gërxhaliu: Ajo çka e karakterizon qeverinë aktuale është mungesa e gatishmërisë për dialog dhe partneritet publiko- privat. Mungesa e dialogut me sindikatat dhe sektorin privat, po e dëmton ambientin e të bërit biznes dhe të jetuarit në Kosovë përmes pakënaqësive të shumta. Nuk duhet të shikohet dialogu si i dëmshëm për shoqërinë demokratike, përkundrazi, mungesa e dialogut është e dëmshme për shoqërinë demokratike. Në këtë drejtim, besoj që në këtë kohë kur Kosova ka nevojë për investime kapitale dhe për projekte qoftë në nivel lokal apo atë qendror është e pakuptimtë kjo ngurosje e institucioneve për të investuar në këto projekte nga të cilat do të përfitonin bizneset, të cilat do t’i implementonin këto projekte dhe përmes afarizmit të krijuar do të krijonin vende të reja të punës për të cilat Kosova ka nevojë. Është e pakuptimtë dhe e pa argumentuar që për 7 muaj të këtij viti nuk janë shpenzuar as 10% e buxhetit për investime kapitale, nga e cila mungesë këto mjetë po përjetojnë amortizim moral sepse janë të goditura nga hiperinflacioni, ku 100 euro të sotshme nuk e kanë vlerën e 80 eurove nesër.
Sektori privat është i ngulfatur dhe adresa e vetme e tyre janë bankat komerciale, të cilat përfitojnë nga nevoja e bizneseve, por kam dro nga mos implementimi i projekteve kapitale, shumë biznese do ta kenë të pamundur edhe kthimin e kredive dhe sektori bankar do të goditet nga rritja e kredive të këqija. Prandaj, është shumë më e rrugës të ketë implementim të projekteve, përfundim të projekteve, punësim se sa të ipen ndihma sociale.
Buletini Ekonomik: Si i vlerësoni politikat aktuale ekonomike të Kosovës? A ka ndonjë ndryshim nga ato të qeverive të deritashme të pasluftës? Nëse po, cilat janë ato?
Safet Gërxhaliu: Do të isha qytetari më i lumtur i Republikës së Kosovës, sikur ta shihja që ekziston një strategji zhvillimore apo strategji sektoriale në interes të zhvillimit dhe shtetit. Është e vërtetë se vërehet një qasje më aktive në luftën kundër korrupsionit, por zhvillimi ekonomik edhe më tutje po mbetet nën hijen e agjendës politike. Është obligim moral të thuhet e vërteta se sektori privat në Kosovë ka bërë shumë hapa më të avancuar për zhvillim ekonomik se sa shteti. Prandaj, fati i stabilitetit ekonomik-social në Kosovë është shumë më tepër meritë e sektorit privat dhe remitancave nga diaspora se sa e politikave zhvillimore e institucioneve të Kosovës.
Buletini Ekonomik: Në një vështrim tuajin të publikuar në medien kosovare, keni shpërfaqur ide goxha interesante: Pse e keni paraparë me prioritet ndërtimin e Termocentralit të ri “Kosova e Re” me kapacitet 600 MWh dhe avancimin e investimeve në energji të ripërtërishme? A mendoni se Kosova ka potencë financiare për të ndërtuar vet këtë kapacitet elektroenergjetik, pasi që dihen restriksionet e asociacioneve ndërkombëtare financiare për të financuar kapacitete të reja elektroenergjetike në bazë të qymyrit? Sipas jush, si do financohej ndërtimi i këtij kapaciteti energjetik?
Safet Gërxhaliu: Garancë e zhvillimit ekonomik të një shteti është shfrytëzimi i resurseve natyrore që posedon, i kombinuar me faktorin njeri bazuar në sundim të rendit dhe ligjit. Prandaj, në këtë kohë krize nuk i bëhet nder Kosovës të thuhet se është me rezerva më të mëdha të linjitit në botë dhe të jetë importues i energjisë elektrike dhe në veçanti në këtë kohe krize kur sot në berzat ndërkombëtare të energjisë elektrike, një KWh kushton 830 euro e në dhjetor-janar pritjet janë të jetë mbi 1300 euro.
Kosova e ka humbur betejën energjetike me mafinë ballkanike për shitje të energjisë dhe shoqëria civile apo të ashtuquajturit patriotë ambientalë, të cilët kanë penguar me çdo kusht ndërtimin e kapaciteteve të reja dhe Kosovën e kanë sjellur në këtë gjendje mjeruese. Andaj, në qoftëse në Maqedoni prodhohen 600 MWh energji elektrike, me Mal të Zi 300 MWh, Bosnje&Hercegovinë më tepër se 3000 MWh dhe në Serbi afër 6000 MWh, në bazë të thëngjillit, shtrohet pyetje a duhet Kosova ta viktimizojë ekonominë e vetë në emër dhe me qëllim të mbrojtjes së ambientit, ndërsa rrethohet me gjithë këto termocentrale të vendeve fqinjë që prodhojnë afër 10 mijë MWh energji elektrike dhe kane plane për zgjerim të kapaciteteve të tyre.
Në këtë katastrofë energjetike kanë kontribuar edhe politikanë të pandërgjegjsheëm që kanë pasur pozita të ministrave të cilët pas dështimit të projekteve të Kosovës së Re kanë tentuar me automatizëm për të shitur dhe ndërmjetësuar për furnizim të Kosovës me energji elektrike për interesa të veta dhe në dëm të qytetarëve.
Prandaj, është koha e fundit kur politikëbërësit në Kosovë duhet të reflektojnë dhe të kenë guximin për të filluar një orë e më parë ndërtimin e një termocentrali të ri me kapacitet prej 600 MWh, që do të kishte efekte të shumta pozitive, sepse do të krijonte mundësi reale të angazhimit të sektorit privat vendor, krijimit të vendeve të reja të punës. Termocentrali i ri, natyrisht, duhet të ndërtohet me teknologji moderne dhe stabilimentet filtruese- fjalë e fundit e teknologjisë, që do të garantonin mbrojtjen e ambientit.
Nuk i bëhet nder Kosovës nëse Maqedonia dhe Serbia kërkojnë për të blerë thëngjill nga Kosova, për t’i shitur më pastaj energji elektrike Kosovës. Rregullat e vlefshme për shtetet e Ballkanit Perëndimor për prodhimin e energjisë elektrike duhet të vlejnë edhe për Kosovën dhe nëse vendet e lartcekura prodhojnë rrymë nga qymyri, pse Kosova të pengohet dhe penalizohet për këtë.
Sa i përket financimit të termocentralit të ri, besoj që është një ndër problemet e vogla, sepse Kosova ka mjete të pa shfrytëzuara të deponuara në Bankën Qendrore dhe mbi të gjitha ka një diasporë e cila mund të mobilizohet për të investuar në çdo kohë, por me garancione shtetërore. Në qoftë se Gjermania dhe Franca i rikthehen energjisë nukleare dhe në bazë të thëngjillit, pse Kosova të jetë e dënuar dhe të jetë shtet i varur nga importi i energjisë elektrike edhe përkundër rezervave rekorde të thëngjillit.
Buletini Ekonomik: Një shkritore i duhet domosdo Kosovës, e keni thënë në pikëpamjet e juaja për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Pse komuniteti i xehetarisë në Kosovë është kaq i heshtur dhe fare jo kërkues për nevojën imediate të republikës sonë për të rimëkëmbur xehetarinë, këtë resurs super të favorshëm për zhvillimet ekonomike të ne? Njëkohësisht, pse ngurrojnë kaq shumë zyrtarët dhe vendimmarrësit tanë për të rimëkëmbur minierat tona, flotacionet ekzistuese, por edhe ndërtimin e shkritores aq të nevojshme?
Safet Gërxhaliu: Shumë shtete afrikane të pasura me metale të çmuara janë ende të varfëra dhe këtë varfëri shkenca e njeh si “mallkim i hirtë”. Pikërisht për këtë nuk dëshiroj që Kosova edhe përkundër pasurive nëntokësore nën umbrellën e emrit Trepça të jetë në këtë gjendje mjeruese. Është e pakuptueshme që këto xehe të Kosovës ende të eksportohen si koncentrat apo mbeturina metalike me një çmim turpërues, ndërsa nga e njëjta lëndë minerare vendet e zhvilluara si Zvicra, Gjermania, Britania e madhe dhe Kina, nxjerrin afër 31 metale të çmuara aq shumë të kërkuara në ‘nano teknologji’ dhe në prodhimet farmaceutike për sëmundje të rënda kancerogjene.
Sot në Trepçë mund të gjenden ¾ e metaleve që gjinden në Sistemin Periodik të Elementëve Kimike të Mendelijevit dhe besoj që një shkritore e këtyre xeheve dhe finalizimi dhe ndarja e metaleve, do të ishte garanci që Trepça do të bëhej një shtyllë e zhvillimit të Kosovës dhe jo të mbetet barrë e shtetit, siç ndodhet tani, pasi për të mbijetuar duhet ndihma nga qeveria. Është mëkati më i madh kur thuhet që brenda vitit kalendarik 2021, Trepça ka realizuar të hyra vetëm afro 21 milionë euro. Prandaj, eshtë koha për veprim edhe pse jemi të vonuar, sepse Trepça mund të jetë brend i promovimit të Kosovës në tërë botën.
Buletini Ekonomik: Po ideja për të investuar në ndërtimin e një Fabrike të Akumulatorëve apo baterive për auto-industri, kah iu erdhi? Cilat, sipas jush, do të ishin përfitimet nga ky kapacitet industrial?
Safet Gërxhaliu: Një ndër industritë më të avancuara në botë është ajo e auto-industrisë, dhe me vet faktin që nevoja për vetura elektrike është në rritje, është një argument që duhet të na shtyjë të mendojmë dhe të kthehemi në traditën e prodhimit të akumulatorëve Made in Kosova. Një ndër pjesët, apo komponentët më të shtrenjta të veturave elektrike janë bateritë apo akumulatorët dhe Kosova e posedon pothuajse komplet lëndën e parë për të prodhuar bateritë për auto-industrinë moderne. Prodhimi i këtyre baterive ka një të kaluar të suksesshme me partnerë nga Gjermania. Prandaj, vet fakti që Kosova posedon elementet kimike bazike për të prodhuar bateritë është elementi i parë dhe fakti që do të kishte eksport të garantuar, është argumenti i dytë ndërkohë që nevojat për këtë produkt janë në rritje, prandaj këto mundësi duhet shfrytëzuar edhe pse jemi të vonuar.
Buletini Ekonomik: Pos fokusit kah kapacitetet e reja elektroenergjetike, që po i mungojnë vendit, Kosova ku duhet ta përqëndrojë vëmendjen në aspektin e zhvillimit ekonomik, gjegjësisht cilat prioritete të tjera zhvillimore, sipas jush, duhet të ketë Kosova në këto vitet e ardhshme?
Safet Gërxhaliu: Një ndër fushat më të rëndësishme në botën moderne është digjitalizimi dhe ne këtë drejtim Kosova duhet të jetë e orientuar që në 5 vjetët e ardhshme, digjitalizimi dhe edukimi të jenë prioritetet e prioriteteve, jo vetëm për nevojat e Kosovës, por edhe për eksport të sherbimeve dhe projekteve të sofistikuara. Nuk mund të imagjinohet zhvillimi ekonomik ne të ardhmen pa një edukim të mbështetur në nevojat e tregut dhe ekonomisë dhe atë jo vetëm në aspektin intern por edhe atë ndërkombëtar. Për politikëbërësit kosovarë sot dhe në të ardhmen “ekonomia e dijes duhet të jetë shtyllë dhe garancë e ardhmërisë”. Një popull i edukuar dhe i arsimuar lehtë mund të menaxhohet por kurrë të mos okupohet dhe për këtë Kosova ka nevojë.
Transferi i teknologjisë dhe i sistemit “know-how” i mbështetur në digjitalizim dhe edukim ne interes të sektorit privat duhet të jetë objektiv dhe duhet të lulëzojnë qendrat inovative dhe qendrat për research dhe development.
Buletini Ekonomik: Pse nuk po gjendet ndonjë modus për orientimin e remitencave të shumta si vlerë dhe si sasi, qoftë në ndonjë projekt prodhues, qoftë sish të shërbimeve, që të punësohet ndonjë numër nga armata e madhe e të papunëve, por edhe “t’ua shohin hajrin” mjeteve të tyre financiare mërgimtarët tanë potentë financiarisht?
Safet Gërxhaliu: Çkado që të bëjë Kosova për diasporën, nuk mund ta falenderojë mjaftueshëm për kontributin që ka dhënë ajo për Kosovën paraluftës, gjatë luftës dhe më pas. Nëse bazohemi në raportet zyrtare, del që diaspora dërgon afër 900 milionë euro në formë të remitancave, por që kjo shifër është e gabuar sepse diaspora dërgon në formë direkte, indirekte dhe periferike shumë më tepër, madje edhe më shumë se një buxhet i miratuar nga Parlamenti i Republikës së Kosovës. Diaspora meriton një trajtim më ndryshe dhe të mos shihet vetëm nga dimenzioni financiar, sepse vlera e tyre është shumë me e madhe se ajo financiare. Janë ambasadorë të shpirtit të Kosovës kudo që janë, edukata e tyre, në veçanti e gjeneratës së tretë, e promovon Kosovën në mënyrën më të denjë, të rinjtë tanë nga diaspora po shkëlqejnë kudo në botë si në art, sport, muzikë, film etj. e që e përmirësojnë dukshëm imazhin e Kosovës dhe besoj që është koha që ky potencial i diasporës të jetë i orientuar në zhvillim të hovshëm strategjik të Kosovës dhe jo të jetë vetëm për konsum dhe shpenzim ditor të mbijetesës së kosovarëve. Dua të besoj që është koha kur institucionet e Kosovës duhet të kenë një pako të veçantë për diasporën për t’i motivuar dhe siguruar për të investuar në Kosovë qoftë në energjetikë, ICT, prodhim, shërbime apo sektorë të tjerë. Të eliminohet burokracia dhe korrupsioni për ta, sepse e vërteta eshtë që ata e duan Kosovën më shumë se ne dhe kanë mall më tepër për Kosovën se ne. Prandaj, besoj që remitancat duhet të jenë në funksion të zhvillimit dhe ardhmërisë e jo vetëm në rolin social.
Buletini Ekonomik: Më konkretisht, çka duhet bërë më shpejtë dhe çka në afat më të gjatë për t’u “zgjuar nga gjumi” tepër i gjatë dhe për t’u përqendruar të zhvillimi ekonomik dhe për të qenë paksa rezultativ në arritjen e ndonjë objektivi zhvillimor?
Safet Gërxhaliu: Besoj që duhet të pajtohemi që ekonomia duhet të depolitizohet dhe për ekonominë të mos flitet vetëm në fushata zgjedhore, por çdo ditë e çdo minutë, sepse pa zhvillim ekonomik nuk mund të ketë stabilitet politik, social, integrues, psikologjik dhe emocional. Ekonomia në Kosovë duhet të thjeshtësohet në shpjegim dhe të konkretizohet në zbatim. Për vepra të mëdha dhe për ndryshime qenësore duhen liderë të guximshëm dhe të aftë, të cilët vlerësojnë dhe mbështeten në analizat e bëra ku janë të evidentuara vizionet për nevojat e Kosovës, çka mund të realizohet më së shpejti dhe më së miri dhe të gjenerojë efekte pozitive, multiplikative. Me urgjencë, edhe pse jemi të vonuar, siç e thash më lartë, është fillimi i ndërtimit të një termocentrali me kapacitet 600 MWh energji elektrike, të mendohet me urgjencë në shkritoren e metaleve në Trepçë dhe të ju shtohet vlera e shtuar për minimum 1000% sepse nëqoftëse nga një ton koncentratë gjatë shkrirjes do të ndahen vetëm 50 kg plumb, 50 kg nikel, 50 kg hekur dhe një sasi e vogël e argjendit dhe kobaltit, do të jetë shumëfishim i vlerës së këtyre metaleve dhe interesi për shtet dhe minatorë do të jetë shumë më i madh se deri më tani. Të mendohet për fabrikën e baterive, apo akumulatorëve pasi që ekziston lokacioni, ekziston lënda e parë, ekziston një pjesë e teknologjisë, të kërkohen invesitorë dhe partnerë nga jashtë dhe të përfundojë ky projekt me rëndësi futurologjike në interes të Kosovës. Digjitalizimi dhe ICT të jenë prioritet, por edukimi, edukimi, edukimi dhe prapeë edukimi të jetë fundament i ekonomisë së dijes në interes të shtetit dhe të gjitha këto të mbështeten në sundim të rendit dhe ligjit.
Buletini Ekonomik: Krejt në fund, si i sheh gjasat dhe mundësitë reale Safet Gërxhaliu, për ngjalljen ekonomike të Kosovës në të ardhmen e afërt dhe në atë më të largët, si parakusht për t’i evituar “efektet negative ekonomike, sociale por edhe katastrofën demografike”, siç keni thënë në vështrimin e juaj?
Safet Gërxhaliu: Duhet të kuptohet situata ekonomike në Kosovë edhe në rajon që nuk është ajo e dëshiruara dhe efektet e pandemisë vertetë janë shqetësuese. Bota nuk do të jetë ajo që ka qenë më parë dhe duhet një renditje e re ekonomike. Sot, Kosova ballafaqohet me një inflacion që sipas Bankës Botërore, ka arritur në 19.20%, inflacioni në eurozonë është 9.40% dhe e tërë kjo ndikon në proceset ekonomike në mënyrë negative. Vetë fakti që jemi ndër shoqëritë e varura nga importi dhe krahas importit të mallrave dhe shërbimeve, importojmë edhe inflacion, e bëjnë jetën më të vështirë qoftë për qytetarë, qoftë për biznese. Prandaj, është koha që duhet të mendohet më shumë për shtet dhe për qytetarë se sa vetëm për interesa të partive politike dhe të militantëve partiakë. Është koha kur duhet të kemi imunitet politik mes pozitës dhe opozitës për interesa të shtetit dhe në veçanti për një dialog mjaft sfidues për Serbinë dhe është koha kur duhet të mendohet më ndryshe në mes pozitës dhe opozitës dhe jo si deri më tani “çka është e mirë për pushtetin është e keqe për opozitën dhe çka është e mirë për opozitën është e keqe për pozitën”. Në këtë drejtim, qytetarët e Kosovës e kanë humbur besimin në shtet dhe ardhmëri, prandaj mendohet se ikja nga Kosova e ka emrin shpëtim. Ikja dhe braktisja e madhe e vendit, që po ndodhë është e mjerueshme dhe e trishtueshme dhe nëse vazhdohet me këtë avaz të ikjes së të rinjve nga Kosova dhe rajoni, do të ballafaqohemi me një katastrofë demografike që do të jetë humbja më e madhe që mund të përjetojë Kosova.
E dhëna se brenda vitit 2021 kemi pasur mbi 46 mijë largime të të rinjve në mënyrë legale, ndërkohë që nuk dihet numri i ikjeve ilegale, është shumë shqetësuese. Është koha kur Kosova duhet të promovohet më ndryshe se deri tani, në mënyrë që edhe lajmi i mirë të jetë lajm dhe jo vetëm lajmi i keq të jetë lajm. Është koha kur duhet njerëzit e profesionit të jenë në pozita kyçe dhe jo vetëm militantët partiakë, është koha kur vlerat duhet të pranohen si vlera dhe jo anti-vlera të mbështetet si deri më tani. Është koha kur duhet të kthehet besimi i humbur tek të rinjtë që në Kosovë ka ardhmëri përmes kampanjave të ndryshme vetëdijësuese, duke i informuar se edhe vendet evropiane janë të goditura nga kriza dhe Evropa nuk është më ajo që ka qenë. Dua të besoj që është koha për liberalizim dhe mundësi të lëvizjes, sepse shumë të rinj që do të dalin do ta shohin realitetin me sy të vet dhe do të kthehen për ta ndërtuar ardhmërinë këtu ku jemi në Kosovën martire. Është koha për politikanët kosovarë të performojnë për shtet dhe jo vetëm për pushtet, të hapin përspektivë të re, sepse Kosova e zbrazur dhe pa rini, është fitorja më e madhe e armiqve shekullor të Republikës së Kosovës. /Buletini Ekonomik/