Mbi një mijë punëtorë teknik po protestojnë

Punëtorët teknikë në vend kanë protestuar gjatë ditës së djeshme, për shkak të pagave të ulëta. Ata kanë kërkuar që nga viti i ardhshëm paga minimale për punëtorët teknikë të jetë 350 euro. Këta punëtorë edhe gjatë ditës së sotme do të mbajnë protestë njëorëshe, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Rreth një mijë punëtorë teknikë kanë ndalur punën gjatë ditës së djeshme për një orë, ku kanë kërkuar edhe një herë që paga minimale për ta nga viti i ardhshëm të jetë 350 euro.

Punëtorët teknikë të Universitetit të Prishtinës, ata të qendrave të mjekësisë familjare dhe të disa shkollave në Prishtinë e në Gjilan kanë ndalur punën nga ora 10:00 e deri në orën 11:00.

Reklama e sponzorizuar

Punëtorët teknikë në Universitetin e Prishtinës kanë bërë të ditur se aktualisht paga e tyre është 230 euro. Ata kanë thënë se nga viti i ardhshëm nuk do të pranojnë pagë më të ulët se 350 euro.

Në anën tjetër kryetari i Sindikatës së Pavarur në sektorin privat, Jusuf Azemi, ka thënë për medie se Ligji i Punës në vend nuk po zbatohet.

Ai ka bërë të ditur se për shkak të pakënaqësive për pagat e ulëta edhe gjatë ditës së nesërme do të ketë protestë.

“Sot dhe nesër protestojnë punëtorët teknikë të Qendrës Studentore, punëtorët teknikë të disa shkollave që menaxhohen nga Komuna e Prishtinës, punëtorë teknikë të Universitetit të Prishtinës, punëtorë të sigurimit fizik të UP-së dhe të QMF-ve, punëtorët teknikë të disa shkollave në Gjilan. Greva fillon nga ora 10:00 dhe do të mbahet deri në orën 11:00”, ka theksuar ai.

Në mbështetje të punëtorëve teknikë përpos Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës kanë dalë edhe sindikatat tjera.