Mjerimi në shëndetësi, mbi 1500 pacientë për 9 muaj kërkuan shërim jashtë vendit

Reth 632 kosovarë të cilët vuajnë nga sëmundje të ndryshme janë në pritje për të marrë dritën e gjelbër nga ana e Fondit i Sigurimeve Shëndetësore për të udhëtuar për shërim jashtë Kosovës. Këta pacientë në nëntë muajt e parë të këtij viti kanë kërkuar mbulesë financiare nga ana e institucioneve shëndetësore kosovarë për t’ia gjetur ilaçin sëmundjeve nga të cilat ata vuajnë. E ndërkohë për këto nëntë muaj afro 1 mijë e 500 pacientë kanë kërkuar shërim jashtë Kosovës, shkruan Gazeta Express.

Institucionet publike shëndetësore në Kosovë prej vitesh vuajnë nga mungesa e barnave, cilësia jo e mirë e shërbimeve shëndetësore, por edhe nga kushtet jo të mira për punë. Në pamundësi që pacientëve t’ua japin shërbimet e duhura mjekësore, këta të fundit po detyrohen që ilaçin ta gjejnë jashtë Kosovës.

E në dyert e institucioneve publike shëndetësore kosovare për çdo muaj paraqiten me qindra kosovarë që brengë kryesore e kanë shëndetin.

Reklama e sponzorizuar

Sipas të dhënave që zyrtarë nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore ia kanë ofruar Gazetës Express, shihen të dhëna shqetësuese të numrit të kosovarëve që po kërkojnë shërim jashtë vendit. Mbi 100 kosovarë për çdo muaj po kërkojnë shërim në këtë institucion shëndetësor.

Ndërkohë për shtatë muajt e parë të këtij viti, numri total i kërkesave për shërim që i kërkojnë kosovarët ka arritur në 1 mijë e 32 kërkesa të tilla.

Nga ky numër 533 raste kanë marr trajtim, ndërkohë që 632 të tjera janë duke pritur për trajtim.

“Numri i kërkesave deri tani (Janar- Shtator 2019) është: 1032. Gjatë vitit 2019, 533 raste kanë marr trajtimin dhe 632 raste janë ne pritje për trajtim. Rastet me te shpeshta qe referohen per trajtim jashtë QKUK-se, vijnë kryesisht nga Klinikat e Pediatrisë, Ortopedisë, Oftalmologjisë, etj”, tregojnë nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore.

E ndërkohë institucionet kosovare tashmë kanë hyrë në borxhe për t’i shëruar këta persona. Në koston e miratuar nga shteti prej 6 milionëve, borxhi është rritur për 9, 2 milionë.

Pra, i bie që plotësimi i kërkesave tejkalon buxhetin që ka Fondi në dispozicion për këtë program.

“Buxheti i Programit per TJISHP te Fondit është per vitin 2019, 6 milionë euro, ndersa shuma e aprovuar deri tani eshte rreth 9.2 milionë euro”, thuhet në përgjijgje.

Pavarësisht kësaj, gjatë gjithë vitit të kaluar për shërim jashtë Kosovës kanë aplikuar 1 mijë e 432 persona me buxhet të shpenzuar me rreth 9 milionë euro.

Sidoqoftë, mos përfshirja e Kosovës në kuadër të zonës së lëvizjes së lirë, pa viza, po u kushton shumë qytetarëve, të cilët për nevoja të ndryshme duan të nisen drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Sfida më e madhe mbetet për pacientët të cilët nuk mund të marrin shërbimet shëndetësore brenda Kosovës dhe vihen në kërkim të shërimit jashtë vendit. Por, sfidë më vete mbetet edhe pajisja e tyre me vizë.

Sëmundjet malinje, leukemitë akute, operacionet e zemrës janë vetëm disa nga sëmundjet që institucionet publike nuk po mund t’i ofrojnë në vend për kosovarë. /GazetaExpress/