MKRS-ja do të paguajë 41 mijë euro qira mujore pasi objektin ia mori Presidenca

Presidenca, nga objekti ku ndodhet aktualisht, do të zhvendoset në ndërtesën e ish- Komitetit, ku janë Ministria e Kulturës dhe ajo e Bujqësisë.

Ministria e Kulturës do të zhvendoset në një objekt privat, ku do të paguajë 41 mijë euro qira në muaj, raporton KTV.

Reklama e sponzorizuar

“Ne, në bashkëpunim dhe me sugjerim të Ministrisë së Administratës Publike, me anë të një komisioni të kryesuar po nga MAP-ja, kemi arritur marrëveshje për vendosje në një objekt afarist në pronësi private, dhe lokacioni i të cilit gjendet në Prishtinë, te ndërtesa ish-Ramiz Sadiku, ndërsa kosto mujore do të jetë 41,000.00 Euro. MKRS-ja do të bartet atje me anë të një operatori të kontraktuar nga MAP-ja për rialokim apo ri-vendosje”, ka thënë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Edhe në ministrinë e Bujqësisë kanë konfirmuar se do të zhvendosen në një objekt privat, por kanë thënë se të gjitha procedurat lidhur me vendosjen në një objekt tjetër i ka zhvilluar Ministria e Administratës Publike, pa treguar se cila do të jetë kostoja e qirasë.

“Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në fillim të këtij viti ka pranuar kërkesën nga MAP-ja për lirimin e objektit, në të cilin jemi të vendosur, pra ndërtesa e ish-Komitetit. Të gjitha procedurat lidhur me vendosjen e stafit të MBPZHR-së në objekt tjetër, i ka zhvilluar MAP-ja, kështu që neve na mbetet vetëm t’i zbatojmë kërkesat e tyre, pasi që detyrë e MAP-së, ndër tjerash, është akomodimi dhe krijimi i hapësirave të përshtatshme të punës për shërbyesit civilë, në këtë rast të nëpunësve civilë edhe të MBPZHR-së”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Por ndryshe deklarojnë në Ministrinë e Administratës Publike, duke theksuar se meqë nuk ka objekte shtetërore, ministrive u takon vetë të bëjnë zgjidhje për akomodim.

Kundër zhvendosjes në një objekt tjetër, janë deklaruar punëtorët e Ministrisë së Kulturës, të cilët kanë protestuar këtë të martë.

Ata kanë thënë se vendimi për zhvendosje do ta dëmtojë buxhetin e shtetit dhe për këtë kanë paralajmëruar protesta tjera ditëve në vazhdim.