Është e sikletshme të thuash që ju kanë pushuar nga puna. Ndonjëherë e meritoni dhe ndonjëherë jo. Por fakti që jeni pushuar nga puna, nuk do të thotë se ju jeni një person i keq apo se nuk do të shkëlqeni në një rol të ri dhe kompani tjetër.
Po si të përgjigjeni kur një punëdhënës i mundshëm ju pyet pse u larguat nga puna e mëparshme?
Nëse thoni thjesht “Më pushuan” pa asnjë shpjegim, mund të lërë shije të keqe dhe të gjithë e dimë se nëse gënjeni, është edhe më keq. Atëherë, çfarë duhet të thoni nëse gjatë një interviste pune ju pyesin për largimin tuaj të dyshimtë?
Për fat të mirë, Alison Green, autore e blogut të famshëm Ask a Manager, ka një zgjidhje të thjeshtë për ju:
Hapi i parë: Mos gënjeni
Sipas Green, nëse përpiqeni ta fshihni faktin që ju kanë pushuar, do t’i hapni punë vetes edhe më tepër.
“Nëse gënjeni dhe thoni se u larguat me dëshirë, ka gjasa që punëdhënësi do ta zbulojë të vërtetën kur të kontaktojë rekomandimet tuaja ose të bëjë një background check.
“Dhe nëse ndodh kështu, gënjeshtra do t’jua dëmtonte imazhin – një shpjegim i ndershëm do të vlerësohej shumë më tepër nga një punëdhënës.
Hapi i dytë: Përmblidheni me pak fjalë
Nuk ka nevojë për një shpjegim të zgjatur. “Duke folur gjatë, i jepni tepër rëndësi çështjes dhe duket sikur po mundoheni të mbroni veten”, shkruan Green. “Zakonisht, mjaftojnë vetëm disa fjali për të shpjeguar çfarë ndodhi”
Hapi i tretë: Ndiqni skriptin
Kur shpjegoni pse jeni pushuar nga puna, përqendrohuni në ato që keni mësuar nga përvoja dhe si planifikoni të përmirësoheni në të ardhmen. Green ofron dy shembuj skriptesh ku mund të mbështeteni, kur gjatë një interviste pune ju pyesin pse e latë punën e mëparshme:
“Në fakt, më hoqën. Është faji im. Mora përsipër një punë që kërkonte aftësi shumë të përparuara teknologjike, të cilat të them të drejtën, nuk i kam. Mendova se do arrija t’ia merrja dorën shpejt, por e nënvlerësova ngarkesën e madhe që duhet të mësoja. Ata morën vendimin e duhur dhe isha i çliruar që do t’u rikthehesha sërish redaktimeve”.
“Në fakt, më hoqën. Ngarkesa ishte shumë e lartë dhe unë nuk fola në kohë, kështu që përfundova duke bërë gabime, për shkak të punës së madhe. Nxora një mësim të vlefshëm që të komunikoj gjithmonë herët kur ngarkesa është aq e lartë dhe të sigurohem që të jem në një vijë me menaxherin tim”.
Flisni saktë, qetë dhe pa nxjerrë justifikime, thotë Green. Mbi të gjitha, mos harroni vlerën tuaj. /Monitor.al/
*Leah Fessler
Burimi: Quartz