Ndërprerjet e energjisë elektrike s’kanë të ndalur, KEDS e çon rrymën jashtë vendit

Kosova eksporton energji elektrike më shumë sesa që importon.

Prodhimi vendas i energjisë elektrike ka përmirësuar bilancin tregtar të energjisë elektrike në Kosovë, pasi eksporti i saj në tremujorin e tretë të këtij viti (TM3, 2019) ka shënuar rritje pak më të lartë sesa importi, përcjell Buletini Ekonomik.

Sipas raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, “Bilanci i Energjisë në Kosovë”, gjatë këtij tremujori të tretë, Kosova ka eksportuar për në vendet e tjera 437.1 GWh energji elektrike.

Reklama e sponzorizuar

Ndërkaq sa i përket importit, vendi ynë ka importuar nga vendet e tjera energji prej 410.09 GWh. Diferencë kjo, por jo shumë e lartë në krahasim me eksportin.

Pjesa më e madhe e prodhimit bruto të energjisë elektrike në këtë tremujor ishte realizuar nëpër termocentralet e Kosovës, ndërsa pjesa tjetër nëpër hidrocentrale.

“Sasia bruto e energjisë elektrike e prodhuar në Termocentrale është 1,338.1 GWh, kurse në hidrocentrale është rreth 79.2 GWh”, thuhet në këtë raport.

Kapaciteti i prodhimit të thëngjillit në vendin tonë gjatë këtyre tre muajve të fundit kishte arritur deri në 1 mijë e 842 ton.

Gjithashtu, këtë tremujor ishte rritur edhe sasia e energjisë elektrike për konsum, që ishte 1,034.7 GWh energji elektrike.

Në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM 3 2018), sasia e energjisë elektrike e konsumuar në këta tre muaj është rritur për 11.8 për qind.

Ndërkohë, sektori ku energjia elektrike u konsumua më së shumti vazhdon të mbetet amvisëria me 51.4 për qind të konsumit final, apo 531.9 GWh.

Pas amvisërisë renditen konsumatorët komercialë me 23.9 për qind, apo 247.2 GWh, më pas konsumatorët e tjerë, sektori i industrisë, ndërmarrjet publike e të tjera, si dhe mihjet. /Buletini Ekonomik/