Ndotja e ajrit kërcënim për kosovarët

Ajri i ndotur në Prishtinë

Ndotja e ajrit në Kosovë, në veçanti në kryeqytet, po kërcënon shëndetin e popullatës.

Sipas matjeve të përditshme të cilësisë së ajrit, rezulton se në sezonin e dimrit, qyteti i Prishtinës po zhytet në smog, që paraqet ndotje të kombinuar të ajrit me gazra, kanë thënë zyrtarë të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike. Për shkak të shkallës së lartë të ndotjes, Instituti u ka rekomanduar institucioneve kompetente që në mënyrë urgjente të përpilohet një plan veprimi për përmirësimin e cilësisë së ajrit.

Jemi të obliguar të informojmë popullatën me shkaqet e ndotjes së ajrit i cili mund të kërcënon shëndetin e qytetarëve ,tha Era Pireva, zëdhënëse e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike. Ajo shtoi se vlerat e PM2.5 gjatë dimrit pritet të jenë disa herë mbi vlerat normale. Instituti Kombëtar propozon këto masa strategjike, që “Urgjentisht të përpilohet një plan veprimi për përmirësimin e cilësisë së ajrit sidomos në kryeqytet. Adoptimi dhe transpozimi i legjislacionit të ajrit në përputhje me direktivat e EU dhe standardeve të OBSH. Implementimi i programeve kombëtare dhe projekteve të përbashkëta për fushën e aerondotjes”, ka thënë Pireva, raporton televizioni publik.

Reklama e sponzorizuar

Ekspertët e Institutit Kombëtar paralajmërojnë dhe alarmojnë se po që se nuk merren masa urgjente, do të ketë efekte negative për shëndetin e popullatës. E zëdhënësi i Ministrisë se Mjedisit, Leotrim Sahiti, tha për televizionin publik se kanë hartuar projektligjin për mbrojtjen e ajrit nga ndotja, por që ka mbetur pa u miratuar për shkak të shpërbërjes së kuvendit.

Në si ministri kemi hartuar projektligjin për mbrojtjen e ajrit nga ndotja dhe presim që pas krijimit të legjislaturës së ardhshme të kuvendit ky ligj të miratohet dhe pastaj të vazhdojmë më nxjerrjen udhëzimeve administrative që kompletojnë kornizën ligjore sa i përket mbrojtjes se ajrit nga ndotja.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike rekomandon qytetarët se kur ajri ka vlera të larta të ndotjes të reduktojnë daljet në rrugë dhe ne vendet me ajër të ndotur, sidomos në mëngjes dhe mbrëmje, Kjo veçmas vlen për personat që kanë sëmundje kronike të sistemit kardiovaskular dhe respirator, fëmijët dhe shtatzënat. Të qëndrohet në shtëpi dhe mos të hapen dritaret për ajrosjen e dhomave derisa zgjasin vlerat e larta.