Vendimi i BQK-së për shtrenjtimin e sigurimit të veturave është kundërshtuar nga qytetarët të cilët gjatë ditës së sotme kanë protestuar para objektit të këtij institucioni, por protesta janë paralajmëruar të ketë edhe gjatë ditës së nesërme.
Grupi “Speedomaniaks” ka paralajmëruar për nesër se do të protestojnë prej orës 16:00, para objektit të BQK-së.
Ndryshe prej protestës së sotme nga një grup tjetër, protestuesit nesër do të dalin edhe me vetura.
Siç njoftojnë nga ky grup, numër i madh i qytetarëve si dhe personave zyrtarë do të jenë të pranishëm në protestë.
“Nesër prej orës 16:00 kemi marrë përkrahje të jashtëzakonshme nga qytetarët e thjeshtë, poashtu edhe nga persona zyrtarë. Protesta jonë do të mbahet edhe me vetura të parkuara para BQK-së, për këtë kemi leje nga komuna dhe policia”, ka thënë një anëtar i këtij grupi për Gazetën Sinjali.
“Ne nuk e përfaqësojmë vetëm grupin tonë Speedomaniaks, por të gjithë qytetarët. Nesër ditë e shtunë vikend i ftojmë sa më shumë që të na bashkohen. Pankartat i kemi gati dhe protesta do të jetë paqësore.”
Ditë në parë në një prononcim për Gazetën Sinjali një anëtar i këtij grupi ka thënë se një person iu është paraqitur grupit “Speedomaniaks” si ndihmës për protestë dhe ka kërkuar që të takohet me organizatorët e protestës, ndërsa në bisedë e sipër ai ua ka ofruar 5 mijë euro kinse si sponsor për të organizuar mitingje më të mëdha.
“Një djalë u prezantua që po donë me na ndihmua në protestë ka lyp takim për me i sqarua sendet edhe me na ofru përkrahje. Ne si grup funksionojmë me vetë financim nuk marrim pare nga anëtarët, ose nuk shesim aksesorë të grupit për përfitime, krejt këtë punë e bëjmë për qejf. Ai tipi gjatë bisedës na ka sugjeru që duhet me fillu me mendu më larg, me marr sponsorizime, me bashkëpunua me njerëz, edhe në një moment tha që ndoshta ka njerëz që ju japin edhe 5 mijë euro për me bo ju meetingat më të mëdhenj”, ka thënë një anëtar i grupit “Speedomaniaks” për Gazetën Sinjali.
Grupi “Speedomaniaks” kanë ftuar qytetarët që të marin pjesë në protestë.