Nga janari shtrenjtohet parkimi në Prishtinë

Prej janarit të vitit të ardhshëm Komuna e Prishtinës do të rrisë çmimin e parkingjeve publike në qendër të kryeqytetit, për të eliminuar kolonat dhe tollovitë në komunikacion.

Përmes një postimi në rrjetin social facebook, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka bërë të ditur se prej janarit 2020, parkingu publik do të jetë i kufizuar 2 orë për ata që nuk janë banorë të lagjeve, nga ku edhe çmimi i parkingut do të jetë më i lartë.

“Prej janarit 2020, Parkingu publik do të jetë i kufizuar 2 orë për ata që nuk janë banorë të lagjeve, prandaj ata që parkohen në qendër duhet të mendojnë më herët se ku do ta lënë makinën. Po ashtu, parkimi në qendër do të jetë më i shtrenjtë.”, ka shkruar Ahmeti në facebook.

Reklama e sponzorizuar

Ahmeti gjithashtu ka deklaruar se shtrenjtimi i parkingut publik do të ndikojnë në lehtësimin e komunikacionit dhe zvogëlimin e ndotjes së ajrit.

“Do të investojmë edhe më tutje në Transport Publik.

POR, në javët dhe muajt në vijim do ta shqyrtojmë seriozisht Congestion Charge në pjesët e ngarkuara të qytetit. Jemi duke shqyrtu që kjo të bëhet përmes kamerave smart që lexojnë tabelat. Kjo Taksë e “tollovisë” bashkë me investimet tjera mund ta lehtësojë komunikacionin dhe zvogëlojë ndotjen në kryeqytet.”, ka shkruar Ahmeti në facebook.