Mjafton të vëzhgohen edhe përciptazi dyqanet e artikujve të konsumit të gjerë, marketet po edhe supermarketet për të parë vërshimin e çmimeve enorme, pothuajse të të gjitha produkteve të domosdoshme ushqimore, të ngitura tani në këtë fillim të gushtit, përkatësisht gjatë ditëve të qëndrimit të mërgimtarëve tanë në vendlindje.
Buletini Ekonomik
Çmimet e konsumit ditor, veçanërisht të produkteve ushqimore, që me nisjen e ardhjes së mërgimtarëve kanë nisur të lëvizin kah lartësia, të ngriten ndieshëm. Sidomos, çmimet janë “çmendur” në këto dhjetë ditët e para të gushtit. Mjafton të vëzhgohen edhe përciptazi dyqanet e artikujve të konsumit të gjerë, marketet po edhe supermarketet për të parë vërshimin e çmimeve enorme, pothuajse të të gjitha produkteve të domosdoshme ushqimore, të ngitura tani në këtë fillim të gushtit.
Buletini Ekonomik ka vizituar disa markete në kryeqytet prej nga ka hulumtuar shtrenjtimin e disa prej produkteve bazë, siç janë vezët, vaji e qumështi.
Vezët, që vlerësohet si një nga produktet më popullore kosovare, janë ngritur diku nga 40 deri në 50 për qind. Paketimi prej 30 vezësh, nga 1.80 euro deri në 2.0 euro, sa ka kushtuar deri në korrik, tani në shitoret e KonSonit në kryeqytet tregtohen me 2.80 euro.
Përafërsisht këtë ngritje çmimi e kanë bërë edhe tregtarët e tjerë, pothuaj të gjithë pa dallim. Po kështu, ngritje çmimi nga tregtarët kosovarë në këto ditë ka edhe në të gjitha prodhimet me burim nga qumështi, përkatësisht “bylmetrat”.
Diku me 20 për qind më shumë tani shitet djathi, kosi, gjalpa, por edhe produktet e tjera. Një paketim i djathit të bardhë nga qumështi i lopës i prodhuesit “Drena” me peshë prej 800 gramësh deri para një jave në Interex është shitur 2.49 euro, ndërsa një tjetër paketim me emrin VIDAS, poashtu djathë i bardhë lope dhe poashtu me peshë 800 gramësh, po i këtij prodhuesi, deri para një jave shitej 2.69 euro. Tani këto paketime djathrash të “Drena-s” tregtohen në Interex me 2.69, përkatësisht 2.89. Një kos i prodhuesit KABI nga fshati Kmetoc i Gjilanit, i ambalazhuar në gotë plastike prej 1. 45 kg shitej më herët me 30 centë, ose rëndom tre këso produktesh kanë pasur çmimin 1 euro, ndërsa tani shitet një kos i këtillë me 40 centë, ose tre sosh me 1.20 centë.
Është shënuar ngritje çmimi edhe te buka dhe produktet e tjera nga drithrat dhe te një numër i madh produktesh të tjera elementare. Lista e çmimeve te ngritura ndër produktet bazike ushqimore, praktikisht, është shumë e gjatë. Me qindra artikuj janë me çmime të reja të ngritura në këto ditë kur Kosova është e populluar nga diaspora, e cila për një kohë të gjatë nuk pati mundësi për shkaqe të ditura ta vizitojë vendlindjen.
Dhe kjo ngritje e çmimeve, po të analizohet më detajisht, del se është e lartë, madje shumë e lartë, enorme. Sepse, ta zëmë vjet më 2020, që njihej si vit i pandemisë në Kosovë, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, duke llogaritur ngritjen dhe zbritjen e tyre, del se çmimet e konsumit u rritën 0. 2 për qind krahasuar me vitin paraprak.
Ndërsa, tani brenda një periudhe më pak se një mujore, ngritja është 10, 20 e deri në 50 për qind-te vezët, bie fjala.
Ç’është më keq, në anën tjetër, edhe çmimi i perimeve, sado që është “piku” për prodhimin e tyre, nuk po zbresin, madje mund të thuhet se janë shumë të larta, po të krahasohen me çmimet e perimeve në vendet e rajonit. Një kilogram domate në tregun e gjelbër të kryeqytetit dje tregtohej me 70 centë deri në 1 euro, ndërsa një kilogram fasule shitej madje me 4 euro. Dhe, për këtë hov të “çmendur” të çmimeve pos reagimit të qytetarëve me rastin e blerjes, nuk ka rënë në sy ndonjë shpjegim nga ana e zyrtarëve dhe institucioneve përkatëse.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari në seancën e Kuvendit sot, ka thënë se janë vërejtur raste të rritjes së çmimeve në veçanti te produktet e konsumit dhe sipas saj kjo është shumë shqetësuese.
“Në muajt e fundit janë vërejtur raste të rritjes së çmimeve në veçanti te produktet e konsumit dhe kjo është shumë shqetësuese”, ka thënë Hajdari.
Shumica absolute e qytetarëve ankohen për çmimet enorme, duke shtuar se ato po bëhen të papërballueshme për shumicën e kosovarëve. Çmimet e ngritura të produkteve ushqimore po e vështirësojnë edhe më tej jetën e shumë familjeve kosovare, nga të cilat shumë sosh kanë mbetur pa asnjë të punësuar si pasojë e pandemisë.
“Janë ngritur çmimet e produkteve ushqimore, sidomos produkteve nga bujqësia dhe ato të cilat burim kanë qumështin. Me këto ngritje çmimesh po dëmtohet secila familje e vendit tonë”, thotë një zyrtar i ASK-së, i cili preferon të mbetet anonim.
Sipas tij, është evidente rëndimi i gjendjes financiare të shumë familjeve si rrjedhojë e ngritjes enorme të çmimeve të produkteve ushqimore.
Sipas njohësve të ecurive ekonomike-financiare, dhe mbështetur në statistikat e regjistruara për vitin kaluar, nga të ardhurat e një ekonomie familiare në vendin tonë, 47 për qind e tyre shpenzohen vetëm për produktet ushqimore. Ky fakt, domosdo që do të ndikojë drejtpërdrejtë në standardin e jetesës së kosovarëve, sidomos atyre të kategorive të mesme dhe posaçërisht atyre të varfëra.
Udhëheqësi i organizatës joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, duke folur për media, ka thënë se ndikimi i pandemisë ka rezultuar me humbje të vendeve të punës në sektorin privat, me ulje të pagave dhe me ngritje të çmimeve. Por, sipas tij, ngritja e çmimeve më tepër është rezultat i menaxhimit të pamjaftueshëm dhe pa eksperiencë të kornizës së tregut dhe të bizneseve.
Sipas tij, edhe gjatë këtij viti çmimet kanë shënuar lëvizje dhe ngritje, duke e rënduar edhe më tej gjendjen e konsumatorëve dhe të ekonomive familjare. Por përfaqësuesit e institucioneve shtetërore vazhdojnë të heshtin për ngritjen enorme të çmimeve. Shumë nga ta rrudhin krahët kur nga mediat kërkohet ndonjë sqarim rreth këtij problemi. Por ka edhe një numër sish të cilët nuk ngurrojnë të theksojnë se tashme Kosova është shtet me rregullim shoqëror kapitalist dhe si i tillë respekton ligjet e tregut, përkatësisht ofertën dhe kërkesën. Kjo do të thotë se tregtarët i kanë duart fare të lira për përcaktimin e çmimeve, qoftë edhe të mallrave bazike ushqimore.
Megjithatë, zyrtarët tanë me këtë rast deklarojnë vetëm gjysmë të vërtetën, sepse, ngritja e vrullshme e këto ditëve e çmimeve të produkteve bazike ushqimore, nuk është vetëm rrjedhojë e ekuilibrimit të ofertës dhe kërkesës në treg. Më shumë është rrjedhojë e abuzimit eklatant të tregtarëve të pandërgjegjshëm kosovarë me situatën e krijuar me rastin e ardhjes masive të mërgimtarëve tanë në vendlindje.
Ata, është e vërtetë që kanë rritur këkesën në treg, sikundër që është shumë e vërtetë që nuk pyesin për pak ditë sa qëndrojnë këtu për çmimet e “fryra” tej mase dhe përtej çdo logjike të tregut. Dhe tregtarët abuzues me situatën, pa u skuqur fare kanë shfrytëzuar dhe po vazhdojnë ta shfrytëzojnë situatën e krijuar dhe favoret e ofruara nga mërgimtarët. Qeveritarët kot deklarohen për synimet dhe përpjekjet që po bëjnë për t’ua lehtësuar sa më shumë jetën mërgimtarëve gjatë qëndrimit në Kosovë.
Sa për dijeni, në asnjë shtet perëndimor nuk do të lejohej një shfrenim i këtillë çmimesh dhe një abuzim i këtillë, pavarsisht se të gjitha këto shtete e kanë përqafuar që moti ekonominë e tregut dhe ligjet e kësaj ekonomie. /Buletini Ekonomik/