Komuna e Prishtinës sot ka filluar me dekorimin e qytetit për festat e fundvitit. Punëtorët e kompanisë fituese tashmë kanë filluar përgatitjet për stolisjen e shesheve, derisa mësohet se dritat do të ndizen më 1 dhjetor 2019, raporton Express.
Komuna që udhëhiqet nga Shpend Ahmeti duket se ka marrë mësim nga vitet e kaluara sa i përket dekorimit të qytetit për festat e fundvitit.
Përderisa gjatë vitit të kaluar ishte vonuar me procedura të prokurimit duke bërë që ndriçimi festiv të niste në fund të dhjetorit, gjë për të cilën ishte kritikuar shumë, këtë vit tashmë ka filluar me dekorimin e shesheve të kryeqytetit.
Për dekorimin e këtyre shesheve, janë planifikuar të shpenzohen 190 mijë euro për tri vite.
Kështu ka bërë të ditur vetë komuna në njoftimin për nënshkrimin e kontratës të publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.
Sipas njoftimit të publikuar në KRPP, për këtë tender kishte shumë të interesuar. Gjithsej 23 kompani kanë dorëzuar ofertat e tyre për dekorimin e qytetit, derisa fituese është shpallur Ndërmarrja Private Tregtare” Anea “
Ndryshe, vitin e kaluar Komuna e Prishtinës kishte ndarë 75 mijë euro për dekorimin e shesheve. I gjithë procesi i dekorimit kishte përfunduar më 23 dhjetor.