Aktualisht në tregun e Kosovës operojnë 10 banka të ndryshme komerciale, por numri i tyre pritet të rritet.
Kjo pasi nga Banka Qendrore e Kosovës, kanë treguar se janë duke e shqyrtuar një kërkesë për hapjen e një banke të re.
Zyrtari për media në BQK, Kushtrim Ahmeti, ka treguar për Monitor.al se komisioni është duke e shqyrtuar aplikacion për licencim të një banke.
“BQK është në proces të shqyrtimit të një aplikacioni për licencim bankar”.
Në BQK thonë se pasi të bëhet shqyrtimi në tregun e Kosovë mund të hyjë banka nga Shqipëria “Credins”.
“Mund të ju konfirmoj që tregu bankar në Kosovë vazhdon të jetë atraktiv për bankat e reja që duan të nisin punën në vendin tonë. Sa i përket “Banka Credins Kosovë, ajo ka dorëzuar aplikacionin zyrtar në BQK dhe ai aplikacion është duke u shqyrtuar”.
Ahmeti tuje ka treguar se BQK-ja në zbatim të përgjegjësive ligjore si autoritet licencues i institucioneve financiare në vend, angazhohet në rregullimin e hyrjes në treg të investitorëve potencialë.
“BQK-ja, në zbatim të përgjegjësive ligjore si autoritet licencues i institucioneve financiare në vend, angazhohet në rregullimin e hyrjes në treg të investitorëve potencialë, duke përcaktuar kritere për licencimin e institucioneve, që posedojnë kapital të mjaftueshëm për mbështetjen e aktiviteteve të parapara, që prezantojnë përgatitjet e duhura për vlerësimin dhe monitorimin e rrezikut, politika dhe procedura adekuate për kontrollin e tij, si dhe administratorë me nivel të lartë kualifikimi, profesionalizmi dhe etike”.
Banka nga Shqipëria “Credins”, që po interesohet të vjen edhe në Kosovë është e banka e tretë më e madhe në Shqipëri sipas aktiveve.
Për hapjen e saj në Kosovë kohë më parë kishte folur edhe Maltin Korkuti, drejtor i Përgjithshëm i Bankës, duke thënë se “pas 16 viteve eksperience në tregun shqiptar, Credins Bank ka vendosur të ndërmarrë një tjetër sfidë, duke e shtrirë aktivitetin edhe në Kosovë”.
Në Kosovë sot operojnë 10 banka komerciale dhe përbëjnë 67.5 për qind të aseteve totale të sektorit financiar.
Produktet dhe shërbimet e tyre përfshijnë llogaritë bankare, kreditë, pagesa vendore dhe ndërkombëtare, kartela bankare, garancione bankare, letër kredi, e-banking.
Qasja në shërbimet e këtyre bankave mundësohet përmes aktualisht 223 degëve dhe nëndegëve, 500 ATM-ve dhe 12,303 POS dhe 228.745 llogarive e-banking.
Aktiviteti i tyre dominohet nga kreditë, afati i maturimit të të cilave mund të jetë deri në 15 vjet, varësisht nga lloji i kredisë.
Nga totali i kredive është 2,489 milionë euro, kreditë për ndërmarrjet janë 36.27% ndërsa kreditë për individë 63.51%. Pjesa më e madhe e këtyre kredive absorbohet nga ndërmarrjet e sektorit të tregtisë (50,3% për qind e kredive të ndërmarrjeve), përderisa sektori i industrisë (përfshirë minierat, prodhimtarinë, energjinë dhe ndërtimtarinë) ka 24.27% të gjithsej kredive të ndërmarrjeve. Sektori i bujqësisë aktualisht përbën 3.87% të gjithsej kredive për ndërmarrje.
Bankat komerciale në Kosovë kanë strukturë të ndryshme aksionare. Tetë prej tyre janë banka me kapital të huaj dhe dy me kapital vendor./Monitor.al/