Nuk mbahet premtimi, Banka e Diasporës mbetet vetëm ide

Banka e Diasporës duket se ka mbetur vetëm ide. Pavarësisht se themelimi i saj ishte premtuar që nga viti i kaluar, deri tash nuk është marrë asnjë hap në këtë drejtim. Në Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike e pranojnë se ky projekt ka mbetur vetëm në nivel të diskutimi. Nga njohësit e ekonomisë, një bankë e tillë ishte cilësuar si diçka interesante e që do t’i sillte të ardhura Kosovës.

Zëdhënësja për media në Ministrinë e Diasporës, Qëndresa Fazliu i ka thënë Gazetës Express se ka pasur interesim të investitorëve nga diaspora për hapjen e kësaj banke dhe se janë zhvilluar takime, por se investimi nuk është jetësuar ende.

Sipas Fazliut, Banka e Diasporës ka mbetur ende vetëm ide.

Reklama e sponzorizuar

“Fatkeqësisht, ky projekt ka mbetur në nivel të diskutimi, pasi që nuk ka pasur asnjë hap konkret, pra nuk janë zhvilluar fazat për regjistrimi të bankës dhe as për marrjen e licencës së saj, ka mbetur vetëm si ide, për të cilën nuk është punuar. Megjithatë, ministri Gashi është zotuar se do të merret me këtë çështje”, thuhet në përgjigjet e Fazliut për Express.

Edhe në Bankën Qendrore të Kosovës e konfirmojnë se nuk kanë pranuar ndonjë aplikacion për licencë.

“Deri më tani në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës nuk është dorëzuar aplikacioni për licencim nga banka e diasporës”, deklaronin në BQK.

Ndërkohë, se kanë filluar përgatitjet për themelimin e kësaj banke e kishin thënë kohë më parë edhe në Rrjetin Shqiptar të Bizneseve në Diasporë.

Presidenti i Rrjetit Global të Diasporës Shqiptare, Nazar Mehmeti, ishte takuar me guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, dhe e kishte rezervuar emrin.

Ata kishin deklaruar se më së largu kjo bankë do të themelohet deri në janar të 2019-ës dhe se qëllimi i saj do të jetë zhvillimi i vendit, mobilizimi i diasporës dhe lehtësimi i transfereve për diasporën.

Ndërkohë, njohësit e ekonomisë dhe ekspertët bankarë, themelimin e bankës së diasporës, e vlerësonin si diçka interesante e që do t’i sillte të ardhura Kosovës.

Eksperti bankar, Flamur Keqa, kishte thënë për Express se banka e diasporës mund të jetë një projekt interesant, i cili po ashtu është dashur të zhvillohej shumë kohë më parë.

Deklaronte se efektet e disa miliarda eurove të dërguara për afro 20 vjet nëpërmes remitencave kanë mundur të kanalizohen dhe menaxhohen në mënyrë efiçiente me qëllim të krijimit të një vlere të shtuar ekonomike, përmirësimit të bazës ekonomike të qytetarëve të Kosovës dhe multiplikimit të të mirave materiale dhe financiare.

“Megjithatë nëse vërtet themelohet banka e diasporës këshilla ime do të ishte eliminimi absolut i ndikimit të politikës. Politika si çdokund tjetër do të tentojë ta shtrijë ndikimin e saj destabilizues, qoftë përmes kapitalit apo edhe menaxhmentit, i cili mund të infiltrohet nga subjektet politike. Infiltrimi i politikës në kapitalin e bankës apo strukturat e bankës do të rrezikonte tepër shumë zhvillimin afatgjatë të bankës dhe arritjen e qëllimeve primare të projektit”, ka thënë Keqa.

Sipas Keqës, themelimi i bankës duhet të krijohet me kapital puro nga diaspora dhe strukturat menaxhuese bankiere të emërohen nga vetë aksionarët-themeluesit me persona me integritet dhe përvojë të dëshmuar profesionale dhe morale.

“Nëse prapa projektit qëndrojnë persona të mirëfilltë të biznesit dhe me integritet moral atëherë ka gjasa që ky projekt të stimulojë zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe të iniciojë projekte shumë interesante zhvillimore me ndikim edhe në sektorin e prodhimit, në sektorin e eksportit dhe në zbutjen e papunësisë”, thuhej në përgjigjet e Keqës për Express.

Edhe ish-guvernatori i BQK-së, Hashim Rexhepi, thoshte se themelimi i një banke të tillë do të ishte një burim i mirë financimi për Kosovën.

Rexhepi kishte thënë për Gazetën Express se nëse kjo bankë i plotëson standardet dhe kriteret që kërkohen me ligj për licencim, atëherë nuk do të kishte vështirësi që të bëhet një gjë e tillë.

“Si ide do të ishte interesante për tërheqjen e kapitalit nga jashtë dhe mbështetjen e bizneseve që do të vinin nga diaspora në Kosovë. Kështu që do të ishte një burim i mirë i financimit”, ka thënë Rexhepi.

Rexhepi kishte shtuar më tej se në vend do të ishte mirë të vinin banka të specializuara që do të mbështesnin projekte të caktuara apo do të orientoheshin në një degë apo veprimtari të caktuar.

Ndryshe, ekonomia e Kosovës përgjatë viteve është varur nga paratë, të cilat dërgohen nga qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit. Vetëm në vitin 2018 vlera e remitencave, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, kap shumën e 800 milionë eurove.

Bazuar në shënimet zyrtare, janë mes 700- 800 mijë qytetarë të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës.

Sipas të dhënave Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vetëm vitin e kaluar, rreth 29 mijë qytetarë të Kosovës, kanë emigruar në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian dhe më gjerë.

Kurse, përgjatë viteve 2013 – 2017, nga Kosova, sipas të dhënave zyrtare, kanë emigruar më shumë se 170 mijë qytetarë. Në këto të dhëna, është përfshirë emigrimi i rregullt dhe i parregullt.