Protestuesit besojnë se zyrtarë të BQK-së janë korruptuar kur rritën çmimin e sigurimit të automjeteve

Anëtarë të grupit “SpeedomaniaKs” janë mbledhur sot para BQK-së për të protestuar kundër ngritjes së çmimeve të sigurimit të veturave.

“OFERTË: Kemi rritje të sigurimeve dhe zbritje të rrogave”, “Falimentimet e juaja nuk janë obligime të qytetarëve”, “BQK – Banda Qendrore e Kosovës”.

Këto janë disa prej parullave që qytetarët e mbledhur para Bankës Qendrore të Kosovës po i mbajnë në duar.

Reklama e sponzorizuar

Ata janë duke protestuar në mënyrë të qetë, ndërsa veturat e tyre i kanë parkuar para BQK-së.

Kujtojmë se dje, një grup tjetër i njohur si “Marakli t’kerreve”, kanë protestuar para BQK-së kundër ngritjes së çmimit të sigurimit të automjeteve.

Nga BQK-ja kanë premtuar se do të shqyrtojnë kërkesën e tyre.

Ditë më parë, BQK-ja njoftoi se ka aprovuar kërkesën e kompanive të sigurimeve për rritje të çmimit të sigurimeve prej 26.6 për qind.

Njëri nga organizatorët e protestës kundër shtrenjtimit të sigurimit të automjeteve, Arlind Ramadani, para të pranishmëve, ka thënë se janë mbledhur për të kundërshtuar këtë vendim të BQK-së.

Tha se nuk i takojnë asnjë grupi politik a partiak, dhe përfaqësojnë vetëm interesat e qytetarëve.

“Vendimi i BQK-së është skandaloz. Ky vendim veçse përshkallëzon edhe më tej gjendjen e rëndë ekonomike të qytetarëve të Kosovës. BQK, besojmë se me grupet e caktuara të interesit, e ka marrë këtë vendim”, u shpreh Ramadani, raporton Koha.net.

Tutje, ai kërkoi shfuqizimin e këtij vendimi dhe kthimin e tarifës së vjetër për sigurim të automjeteve. Ndërsa ka kërkuar po ashtu nga kryeministri në ardhje, Albin Kurti, që pas formimit të qeverisë të formojë një komision hetues për këtë çështje.

“Ne besojmë se grupe të interesit kanë interferuar dhe ndikuar duke korruptuar zyrtarë të BQK-së apo edhe të Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës në marrjen e këtij vendimi”, u shpreh Ramadani.

Ai paralajmëroi edhe radikalizim të masave kundërshtuese ndaj vendimit të BQK-së për shtrenjtimin e sigurimit të automjeteve.