Protestuesit paralajmërojnë bllokim të komunikacionit e mosregjistrim të veturave
Përsëri është protestuar para Bankës Qendrore të Kosovës.
Qytetarët dolën për të kundërshtuar vendimin për rritjen e çmimit për sigurimin e veturave për 26 për qind, raporton KTV.
Edhe këtu po kërkohet që të shfuqizohet vendimi i marrë javë më parë.
Madje, nga qytetarët u kërkua që të mos bëjnë as regjistrimin e automjeteve derisa vendimi i ri është në fuqi.
Për të tjerët, një rritje e tillë e rëndon buxhetin familjar dhe sipas tyre, kjo është plaçkitje.
Por, protestës iu bashkua numër i vogël i qytetarëve. Në mënyrë simbolike e shenjë proteste, ata hodhën edhe monedha brenda oborrit të BQK-së.
Gjatë kohës së protestës, makinat u ndalën në rrugën “Luan Haradinaj”
Këtu, protestuesit paralajmëruan edhe radikalizim të protestave dhe përfshirjen edhe të kompanive të taksive në kundërshtim të vendimit të BQK-së.
Vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për rritjen e çmimit të sigurimeve të veturave për 26 për qind, është kundërshtuar që kur u mor me protesta të ndryshme.









