Kur operacionet për kërkim shpëtimit po shkojnë drejt fundit, qeveria ka nisur përllogaritjen e dëmeve të shkaktuara nga tërmetet e fundit.
Në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë së Shqipërisë, kryeministri Edi Rama ka njoftuar gjithashtu se çadrat e ngritura në Thumanë dhe në Laç do të hiqen dhe banorët do të akomodohen në hotele.
Ndërsa për banorët e Bubqit tha Rama ata nuk do të largohen, por do të ngrihen çadra të një tjetër kategorie, pasi banorët në këtë zonë janë të lidhur me blegtorinë dhe nuk mund të braktisin zonat.
Rama theksoi se zyrtarisht numri i të vdekurve ka shkuar në 49.
“Në qarkun e Durrësit janë 1260 persona të akomoduar, nga të cilët deri tani janë 625 në hotele dhe 360 në palestrat e shkollave. Të tjerët janë në çadra apo tek të afërmit. Në Thumanë janë rreth 500 persona të akomoduar në çadra, për ta ka filluar transporti nga kampet për në hotele në Shengjeni”, tha ai, përcjellin mediat në Shqipëri.
Sipas tij, në Qarkun e Tiranës 3480 persona janë pa strehë, ndërsa në Berat 250 persona.
Në Durrës janë evidentuar 701 banesa të dëmtuara, 12 te shkatërruara, 176 pallate të dëmtuara.
Në Tiranë banesa 15 të shkatërruara, 239 të dëmtuara, 8 pallate janë jashtë përdorimit.
Rama tha se ky është bilanc fillestar, ndërsa theksoi se sot vijnë ekipet e para te inspektorëve teknikë për të bërë një analizë të dëmeve së bashku me ekspertët shqiptarë.
Sa i përket kontributeve Rama tha se shuma e grumbulluar është goxha inkurajues, por për shkak se bankat janë të mbyllura nuk mund të thuhet sa është bilanci i plotë.
Sipas tij, deri tani shkon një shumë 5 milionë euro dhe 1,5 milion dollarë.
Përveç kësaj, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka shpallur sot gjendjen e jashtëzakonshme edhe në qytetin e Laçit, i cili rezulton të jetë mjaft i dëmtuar nga tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit.
Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë, Rama tha se mirëkupton opinionin e kreut të opozitës dhe se ndan të njëjtin shqetësim me të se Laçi përfshihet në këtë perimetër, ndaj dhe sot ka vendosur ta përfshijë në program.
“Mirëkuptoj opinionin e kryetarit të opozitës, se Laçi përfshihet në këtë perimetër, them se na përputhen shqetësimet dhe idetë. Ne sot duhet të përfshijmë edhe zonën e prekur të Laçit në të njëjtin program. Ka filluar puna për pastrimin e hotspoteve në Durrës dhe Thumanë. Është bërë shembja e godinave të rrezikshme në Thumanë, ku ishim mbrëmë deri vonë. Po ashtu edhe në Durrës ka nisur puna për pastrimin e gërmadhave, ku nuk ka më operacion kërkim-shpëtimi”, tha kreu i qeverisë.
Ndërkohë, sot do t’i jepet lamtumira e fundit gjashtë anëtarëve të familjes Cara të cilët humbën jetën nga tërmeti i së martës në Thumanë.
Ceremonia mortore do të mbahet në ora 13:00 në Thumanë.
Nga familja Cara humbën jetën Almiri 26 vjeçar, Erisa 25 vjeçare, Hasani 18 vjeçar, Fatmira 53 vjeçare, Sadajana 21 vjeçare dhe Anthi 72 vjeç.