Ligji i ri i pagave ka ngritur kontradita të mëdha te punëtorët e shërbimit civil në vend. Sindikata të shumta kanë shprehur pakënaqësinë e tyre lidhur me pabarazitë që krijon ky ligj. Ligji hyn në fuqi gjatë dhjetorit dhe pagat e para me këtë ligj do të dalin para Vitit të Ri.
Edhe pse ishte menduar si ligj që do të venoste paga të njëjta për pozita të njëjta në institucionet e Republikës së Kosovës, kjo nuk ka ndodhur. Kështu, inspektorët tatimorë kanë mbetur me koeficientë 2.15, shumë më i ulët se inspektorët e sektorëve të tjerë. Edhe pse niveli i përgjegjësisë së inspektorëve tatimorë është shumë i lartë, kjo nuk është marrë parasysh gjatë hartimit të ligjit.
Administrata Tatimore e Kosovës, konkretisht Drejtorit Rajonale – Operativa, po përgatiten për bojkot te punës nga fillimi i javës, për arsye te pakënaqësive me ligjin e ri të pagave, meqenëse me Ligjin e ri te Pagave, trajtimi për stafin e operativës (udhëheqës ekipi, inspektor tatimor, zyrtar të mbledhjes së detyrueshme dhe shërbimi i tatimpaguesve) që përbën edhe motorin e realizimit të planit të mbledhjes së të hyrave të vendit, është nënçmues.
ATK është njëri nga institucionet më të rëndësishme të vendit, pasi që nga puna e saj varet realizimi i objektivave të shtetit në përgjithësi. Rritja e përgjithshme ekonomike dhe e mirëqenies sociale varet edhe nga administrimi i mirë i tatimeve. Një prej objektivave të qeverive të viteve të fundit ka qenë shmangia e varësisë nga të hyrat doganore dhe rritja e të hyrave nga tatimet në brendi të vendit. Edhe detyrat e ATK-së me kalimin e viteve kanë ardhur duke u rritur, e krahas tyre edhe të objektivave. Por, këto objektiva nuk mund të realizohen pa një administratë efikase dhe të stimuluar.
ATK aktualisht ka mbi 800 të punësuar. Prej tyre, mbi 400 të punësuar në drejtoritë operative rajonale. Këta janë bartësit e barrës se realizimit të planit të të hyrave, ata ballafaqohen me presione te ndryshme, fyerje deri te sulmet fizike gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.
Nisur nga kjo, drejtoritë operative kanë filluar mbledhjen e nënshkrimeve si shprehje e pakënaqësisë lidhur me trajtimin që iu është bërë atyre. Një inspektor tatimor qe është profesionist me të paktën diplomë universitare, është ranguar më poshtë se një mami ose teknik mjekësor e ngjashëm.
Sipas hulumtimit të Gazetës Alo, gjithashtu del se nëse krahasohet një inspektor tatimor me një zyrtare doganore, trajtimi është në favor të zyrtarit doganor, edhe pse ishte dashur të jetë e kundërta, pasi që roli i doganës çdo vit shkon duke u zbehur, pasi që taksa doganore që paguhet në kufi pothuajse ka mbetur vetëm për mallrat e importuara nga Kina.
Sindikata të ndryshme janë ankuar te Avokati i Popullit, duke kërkuar që ligjin i cili është diskriminues ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese. Nga ana tjetër, përfaqësues të sindikatave të arsimit, shëndetësisë dhe policisë, të cilat favorizohen nga ky ligj, kanë kërkuar që të vihet në zbatim ligji i ri, në të kundërtën do të ketë pasoja të paparashikueshme, që nënkupton vazhdimin e grevave ashtu siç kishte ndodhur muaj më parë.
Megjithatë, ligji ashtu siç është miratuar është tejet konfuz dhe është paradoksale që derisa gjithë kjo rritje pagash është e varur nga buxheti i cili mblidhet kryesisht nga ATK-ja, nga ana tjetër për punëtorët që e sigurojnë këtë buxhet nuk do të ketë rritje pagash.