Shefi i ri i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI), Kreshnik Gashi, të cilin e ka dekretuar dje presidenti Hashim Thaçi, ka deklaruar mbi 400 mijë euro patundshmëri, si dhe rreth 30 mijë euro para të gatshme në bankat komerciale në vend, raporton portali “Front Online”.
Në formularët e deklarimit të pasurisë për vitin 2019 Gashi ka deklaruar pagë vjetore neto mbi 20 mijë euro nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elekronike dhe Postare (ARKEP), përderisa paga vjetore e bashkëshortes së tij nga Policia e Kosovës është mbi 8000 euro.
Bashkëshortja e Gashit ka një kompani “Crossroads” nga e cila siguron të hyra vjetore prej 4250 euro.
Përveç Kreshnik Gashit, presidenti i Kosovës sot ka dekretuar edhe Burim Ramadanin, zëvendësministër në dorëheqje të Mbrojtes, si inspektor i përgjithshëm i AKI-së.
Edhe ky i fundit ka deklaruar mbi 400 mijë euro patundshmëri, rreth 50 mijë euro depozita familjare.
Pas emërimit të Gashit dhe Ramadanit në krye të AKI-së kanë reaguar zyrtarë të Lëvizjes “Vetëvendosje”, duke e vlerësuar si “kapje” të këtij institucioni të rëndësishëm të sigurisë nga PDK-ja dhe AAK-ja, pasi që Gashi ka qenë sekretar i Ministrisë së Jashtme gjatë mandatit sa Hashim Thaçi ishte shef i diplomacisë, ndërsa Ramadani në zgjedhjet e 6 tetorit ka qenë në listën për deputet të koalicionit AAK-PSD.