Oda e Afarzimit të Kosovës(OAK) e ka cilësuar shqetësuese rritjen e tarifave nga bankat komerciale.
Në takimin e sotëm të përfaqësuesve të Odës së Afarizmit të Kosovës, me Guvernatorin e Bankës Qendrore, temë diskutimi ishin: Kamata prej 5% për kthimin e parave të imëta, tarifat e larta të bankave komerciale për deponimin e të hollave, numri i ulët i bankomatëve, numrit të degëve të bankave, provizionet e POS-ëve dhe mundësia kufizuar e deponimit të parave ‘cash; në ATM.
Çështja e përmendur në takimin e kaluar rreth tarifës prej 5-8% për kthimin e parave të imëta në të letrës është adresuar përsëri për shkak të kërkesës së madhe të bizneseve për uljen e kësaj tarife dhe si pasojë e mos marrjes së ndonjë përgjigje nga ana e BQK për këtë kamatë.
Fillimisht Kryetari i Bordit, Skender M Krasniqi theksoi se është shumë e rëndësishme që të krijohen politika të mira financiare në mënyrë që të përmirësohen kushtet e të bërit biznes në vend.
OAK gjithashtu ka vlerësuar se problemet e lartëcekura të bizneseve në raport me bankat komerciale, dhe probleme të tjera të evidentuara të cilat do të përcillen me shkrim në BQK, jo vetëm që po shkaktojnë mosardhje të investitorëve të huaj, por po ndikojnë edhe në mos rritje të mirëqenies dhe mungesë të zhvillimit ekonomik, tha ndër të tjera Krasniqi.
Drejtoresha nga Rrjeti i Shitësve me Pakicë, Yllka Metaj, theksoi disa nga problemet që ky rrjet ka evidentuar, e të cilat kanë të bëjnë me: unifikimin e POS-ëve e cila do të lehtësonte shumë bizneset që ajo përfaqëson, ‘Sëift fees’ për ‘visa’ dhe ‘master card’ si dhe përqindja e pagesës në POS-a të bankave të ndryshme, e cila shihet si një barrierë tjetër që duhet të eleminohet.
Gjithashtu, përfaqësuesi i biznesit ISP Broadcast, Qendrim Kryeziu shprehu problemet që ai po ballafaqohet me bankat komerciale, e që kanë të bëjnë me kostot e deponimit të mjeteve, rritjen e kostove për shërbime, siguria gjatë deponimit në ATM si dhe kufizimin e shumës dhe përshkrimit për deponimet që realizohen nga bizneset në ATM.
Ndërkaq, Guvernatori Fehmi Mehmeti theksoi që tashmë një kohë po merren me krijimin e tarifave të bankave që do të vendosen në rregullore për produktet bazike dhe që do të vlejë për të gjitha bankat komerciale si dhe kanë filluar punimin në unifikimin e POS-ëve. Gjithashtu, kërkoi që të gjitha bizneset t’i adresojnë problemet në divizionin e ankesave në Bankën Qendrore të Kosovës, për të cilat pastaj do të ndërmerren hapat e nevojshëm. Në këtë takim Oda e Afarizmit të Kosovës u përfaqësua nga Kryetari i Bordit, Skender M Krasniqi, Koordinatorja Qendresa Ibrahimi, Zyrtarja Rreze Cana, Drejtoresha e Rrjetit të Shitësve me Pakicë Yllka Metaj, bizneset anëtare ISP – Broadcast, Qendrim Kryeziu dhe JYSK Kosovo Edon Fishekqiu.