Në 2014 kur u prezantua për herë të parë taksimi progresiv mbi të ardhurat personale, modeli i zgjedhur do të argumentohej nga qeveria se lehtësonte 97 për qind të individëve.
Por teksa rrodhen vitet metamorfoza me të cilën ka ndryshuar taksimi progresiv mbi pagat, jo në shkallë taksimi por në gjetjen e instrumenteve që një numër gjithmonë e më i lartë paga marrësish të paguajnë më shumë taksa. Zyrtarisht sot Shqipëria mbetet rekordmenia e taksimit më të lartë në paga në raport me rajonin ndërkohë që baza me atyre që paguajnë gjithmonë e më shumë pritet të zgjerohet pas ndryshimeve të fundit të propozuara ku të dy punësuarit do të deklarojnë kumulativen. Por si qëndron sot në shifra vendi ynë sa i takon shkallës së taksimit dhe baza e atyre që paguajnë më shumë?
Shkalla e taksimit në rajon
Shqipëria sot aplikon tre shkallë taksimi mbi pagat. Ku për ata me të ardhura nga zero deri në 30 mijë lekë nuk paguhet TAP. Për ata që kanë të ardhura nga 30 001 lekë deri në 150 mijë lekë shkalla e taksimit është 13 për qind ndërkohë që mbi 150 mijë lekë taksimi është me 23 për qind.
Maqedonia e Veriut nga ana e saj në vitin 2019 aplikoi normën progresive duke tatuar me shkallën 10 për qind pagat deri në nivelin 90 mijë dinarë apo rreth 1463 euro. Ndërkohë çdo pagë mbi këtë nivel do të tatohet me 18 për qind. Sipas qeverisë së Maqedonisë së Veriut ndryshimi u bë për të vendosur një raport më të drejtë në shkallën e taksimit dhe se pjesa e prekur e paga marrësve nga shkalla e rritur eshtë vetëm 1 për qind.
Serbia nga ana tjetër takson të ardhurat nga puna dhe biznesi me shkallën 10 për qind kurse të ardhurat nga e drejta e autorit dhe qiratë me 20 për qind. Të ardhurat nga kapitali me 15 për qind duke përjashtuar nga tatimi shitjet e aseteve që kanë qenë në pronësi të shtetit për mbi 10 vjet.
Mali i Zi aplikon shkallen 9 për qind. Për të ardhurat nga punësimi mbi 766 Euro neto/muaj, norma tatimore është 11%. Për pagat e punonjësve të start up (përveç sektorit të agrikulturës, peshkimit, transport, ndërtimit të anijeve) janë të përjashtuara nga tatimi për 8 vjet deri në shumën totale 200,000 Euro.
Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina aplikojnë një shkallë 10 për qind për TAP çka në finale dhe përmbledhje të gjithë rajonit nxjerr Shqipërinë si vendin me nivelin më të lartë të taksimit të pagave.
Tatimi mbi të ardhurat për pagat mbi 150 mijë lëkë (23%) jo vetëm është më i larti në rajon, po ai nxiti një skemë të shmangies ndaj taksave, duke shfrytëzuar hapësirat ligjore dhe diferencat në tatimin ndaj individëve dhe ndaj bizneseve të vogla. Individë me paga të larta dolën nga skema e pagës së kompanive dhe u regjistruan si persona fizikë (biznes i vogël) dhe filluan të faturojnë kompanitë që ata punojnë, në mënyrë që të shmangin tatimin mbi të ardhurat personale, që për pagat e larta arrin deri në 23%. Tatimet një vit më parë hartuar disa ndryshime ligjore për të kapur shmangësit.
Ndryshimi ligjor për të dypunësuarit
Një ndryshim në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, i prezantuar nga Ministria e Financave parashikon që individët që janë të punësuar në më shumë se një punëmarrës do të bëjnë deklarimin vjetor të të ardhurave, edhe nëse ai nuk i kalojnë 2 milionë lekët në vit. Ky ligj është ende në fazë diskutimit dhe pritet të hyjë në fuqi në 1 janar. Tatimet sqaruan se ai merr zbatim në momentin e hyrjes në fuqi pra nuk përfshihen pagat e vitit 2019. Më herët, detyrimin për të bërë deklarimin vjetor e kishin vetëm individët që kishin të ardhura prej më shumë se 2 milionë lekësh.
Kjo do të ndryshojë tërësisht mënyrën sesi llogaritet tatimi mbi pagat e tyre, duke bërë që individët të përfitojnë vetë një herë nga përjashtimi për të ardhurat deri në 30 mijë lekë, ndërsa nëse shuma e dy pagave të tyre i kalon 150 mijë lekët, do të tatohen për shtesën me 23%. Si rrjedhojë tatimi mbi të ardhurat e tyre do të rritet ndjeshëm.
Psh, një individ që ka dy paga mujore nga 50 mijë lekë, aktualisht paguan në vit si tatim mbi të ardhurat 62,400 lekë në total (për të dy pagat, llogaritet vetëm 13% e shumës mbi 30 mijë lekë). Në fillim të vitit të ardhshëm të vitit, kur të bëhet deklarimi i të ardhurave dhe rillogaritja, ai do të duhet të paguajë shtesë në total edhe 46,800 lekë (pasi tatimi do të llogaritet mbi një pagë të vetme prej 100 mijë lekësh dhe do të rezultonte në total 109,200 lekë për gjithë vitin). Shuma e paguar do të rritet në këtë rast me 42%.
Në rast se individi ka dy paga që i kalojnë 150 mijë lekë në muaj, tatimi që ata do të paguajnë do të jetë edhe më i lartë, pasi pjesa mbi 150 mijë lekë do të tatohet me 23%. Psh, një individ me dy paga nga 90 dhe 80 mijë lekë në muaj (170 mijë lekë në total), aktualisht paguan 171.6 mijë lekë tatim në vit. Me deklarimin e të ardhurave, tatimi total do të rezultojë 242.4 mijë lekë, ose 78,800 lekë më shumë. Shuma totale që duhet paguar është 30% më e lartë, sesa kur deklaronte dy rroga veç e veç. Prej mëse dy vitesh, kjo mënyrë deklarimi dhe rillogaritje kryhej për ata individë që ishin të dypunësuar, por të ardhurat e tyre e kalonin kufirin e 2 milionë lekëve në vit, ose mbi 167 mijë lekë në muaj.
Në total, në vend ka 35 mijë të dypunësuar, nga të cilët 24 mijë nuk i deklarojnë të ardhurat ndërsa pjesa tjetër i deklaron tashmë. /Monitor.al/