Një tërmet i fuqishëm shkundi Shqipërinë ku pas lëkundjeve të njëpasnjëshme, ai i orës 03:55 të mëngjesit të së martës, me magnitudë 6.4 ballë, rrëzoi pallate e shënoi dëme të shumta, duke lënë fatkeqësisht 13 viktima. Në Thumanë, aty ku paraqitet edhe situata më dramatike, një grua e moshuar humbi jetën pasi u zu nën rrënoja. Një skenë rrëqethëse ku nuk mund t’i mbash dot lotët, në prehrin e saj, të afërmit dhe forcat zjarrfikëse nxorën gjallë nipin e vogël.
Në Thumanë janë shembur totalisht tre pallate, dhe nën rrënoja ka disa persona për të cilit forcat zjarrfikëse po punojnë për t’i nxjerrë gjallë, me shpresën e madhe. Edhe në Durrës ku dëmet janë të shumta, tre të pajetë u nxorën nga rrënojat e pallateve të shembur, ndërsa një u gjet tek Vila Palma në Durrës. Në Kurbin një tjetër person humbi jetën, pasi i kapur nga paniku në tentativë për t’i shpëtuar lëkundjeve të fuqishme që u ndjenë, është hedhur nga ballkoni. Ai humbi jetën si pasojë e lartësisë nga kati i tretë. Po në Kurbin, një tjetër person, ndërroi jetë pasi duke drejtuar automjetin humbi kontrollin duke u përplasur për vdekje.
Në hotel Lubjana në Durrës i cili u prek nga tërmeti është vënë gjendja e alarmit jo vetëm për pasojat ndaj lëkundjeve të fuqishme sizmike, por për shkak të alarmit që ka ngritur pronari i këtij hoteli. Në bodrumin e tij ndodhet një bombol gazi 250 litra, e cila mund të rrezikojë të shpërthejë duke marrë parasysh që me lëkundjen 6.4 ballë në orën 03:55 të mëngjesit, nuk janë ndalur pasgoditjes. Policia ka vënë perimetrin e sigurisë, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë shkuar edhe forcat zjarrfikëse.