Janë 9 ndërmarrje publike rajonale të ujit të cilat mbulojnë tërë territorin e Kosovës, shkruan “Front Online”.
Po kaq është numri i kryeshefave të emëruar në krye të tyre, pagat e të cilëve, ‘kuletës’ së shtetit, i kushtojnë plot 147 mijë e 185 euro në vit.
Kampion sa i përket pagës, ndër të gjithë kryeshefat e ‘ujit’, është Ilir Abdullahu.
Ai, për punën që bën si kryeshef ekzekutiv në kompaninë e ujësjellësit “Prishtina”, paguhet me 2 mijë e 189 euro në muaj apo me 26 mijë e 279 euro në vit.
Aspak me keq nuk i ka të hyrat Berat Lushtaku i ndërmarrjes “Iber Lepenci”. Ai merr pak më shumë se 2 mijë euro pagë mujore.
Dyfish më pak së Abdullahu e Lushtaku, por shumë më tepër sesa një qytetar me pagën mesatare në vend, merr Ismet Ahmeti, kryeshef në kompaninë e ujësjellësit “Gjakova”.
1 mijë e 290 euro janë të ardhurat e tij mujore , e 15 mijë e 480 euro, ato vjetore.
Pas Ahmetit, menjëherë, vjen kryeshefi i kompanisë “Radoniqi Dugagjin”, Jahja Kadrija, që merr një rrogë mujore prej 1 mijë e 195 eurove.
Lista plotësohet nga kryeshefi i kompanisë së ujësjellësit, “HidroDrini”, Agron Tigani.
Paga prej 1 mijë e 150 eurove në muaj i mundëson Tiganit të rangohet në pozitën e kryeshefit të pestë më të paguar të ujit.
Shumëzimi i pagës së tij mujore me 12 muaj, jep një ekuacion, rezultati i të cilit tregon se ai përfiton nga shteti 13 mijë e 800 euro në vit.
Me vetëm 6 euro më pak në vit dhe me vetëm 50 cent më pak në muaj, paguhet kryeshefi tjetër ekzekutiv, ai i ujësjellësit “Mitrovica”, Sami Miftari.
Pas tij, pasardhës në listë është Xhabir Morina, kryeshef i “Bifurkacionit”.
Të hyrat e tij mujore prej 978 eurove, e ato vjetore prej 11 mijë e 736, i sigurojnë Morinës vendin e kryeshefit të 7-të më të paguar.
Liqeni i fundit në Kosovë për nga lartësia e ujit po del të jetë ai i Prelepnicës.
Pak më mirë se liqeni që e menaxhon, i dyti prej fundit për nga lartësia, veçse e pagës, qëndron kryeshefi i kompanisë Hidromorava, Muhamed Suliqi.
Ky me 952 euro sa merr në muaj apo 11 mijë e 429 euro në vit, i bie të paguhet më pak, sesa 7 homologët e tij të mëparshëm.
I teti në listë sipas lartësisë së pagave është Besim Baraliu, i cili për punën e kryeshefit ekzekutiv në kompaninë Hidregjioni jugor, shpërbehet me 727 euro në muaj apo me 8 mijë e 730 euro në vit.
Në fund të ‘pusit’ është Bedri Haxhijaj.
Ai fut në xhepin e tij 600 euro muaj apo me 7 mijë e 200 euro në vit për punën që kryen si kryeshef i kompanisë së ujitjes “Drini i Bardhë”. /Front Online/