Shtatë teatrot e qyteteve dhjetë muaj pa 140 mijë eurot e premtuara

Janë shtatë teatro të qyteteve që sivjet nuk kanë marrë ende asnjë cent nga subvencionet që ua ka ndarë Ministria e Kulturës qysh në fillim të vitit. Në mars, MKRS-ja kishte publikuar listën e projekteve kulturore që ishin mbështetur nga ky institucion.

Për shtatë teatrot e qyteteve ishin ndarë nga 20 mijë euro. Janë gjithsej 140 mijë euro. Por ky detyrim i MKRS-së ndaj teatrit “Hadi Shehu” në Gjakovë, Teatrit të qytetit në Gjilan, teatrit “Bekim Fehmiu” në Prizren, teatrit “Adriana Abdullahu” në Ferizaj, teatrit “Istref Begolli” në Pejë dhe teatrit “Muharrem Qena” në Mitrovicë, del se nuk ka mundur të kryhet shkaku i borxheve të vitit të kaluar.

Për këtë, të martën ka reaguar Asociacioni i Teatrove Publike të Qyteteve të Kosovës. Ky asociacion ka shprehur shqetësimin rreth moskryerjes së obligimeve apo alokimeve të mjeteve financiare nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ndaj teatrove publike të qyteteve. Aty përmendet se me gjithë faktin e përfundimit të këtyre projekteve nga teatrot, mjetet nuk janë marrë ende.

Reklama e sponzorizuar

Asociacioni bën thirrje dhe kërkon nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, që sa më parë të shqyrtojë kërkesën e teatrove rreth alokimit të mjeteve, në mënyrë që edhe teatrot t’i kryejnë obligimet ndaj artistëve të angazhuar në projektet e tyre. /Koha.net/