Pas protestës së djeshme nga qindra qytetarë të Kosovës, që kundërshtuan vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për rritjen e tarifave të sigurimit për vetura, të njëjtën gjë do ta bëjnë edhe sot një grup tjetër i qytetarëve së bashku me grupin ‘Speedomaniaks’.
Ata kanë paralajmëruar protestë prej orës 16:00 para objektit të BQK-së, duke i inkurajuar qytetarët me moton:
“Vikendi është pushim, bëje të pamundurën e hajde bashkangjitu në protestë.
Data: 23 Nëntor (SOT)
Ora: 16:00
Te objekti i BQK-së përballë NEW BORN-it”, duke treguar kështu vendin dhe kohën
e mbajtjes së protestës.
Grupi ‘Speedomaniaks’, përmes një postimi në facebook kanë thënë se sot është më se e nevojshme të jenë sa më shumë të pranishëm, sepse në të kundërtën nëse nuk dalin masivisht kompanitë e sigurimeve do ta marrin që qytetarët po e pranojnë çmimin, përcjell Buletini Ekonomik.
Ata me këtë protestë kanë thënë se do t’iu tregojnë BQK-së që nuk duhet të marrin vendime që janë në dëm të qytetarëve, dhe do t’ua bëjnë me dije që kompensimet e falimentimit të një kompanie nuk duhet t’i paguajnë qytetarët.
“T’ju tregojmë që nuk duhet të marrin vendime që janë në dëm të qytetarëve, dhe t’jau bëjmë me dije që kompensimet e falimentimit të një kompanie nuk duhet t’i paguajë populli”, thuhet më tutje në postimin e tyre.
Për këtë protestë të sotme, ata thonë se kanë marrë përkrahje edhe nga shumë biznese siç janë: kompani të ndryshme të taksive, kompani që merren me dhënien me qera të makinave (rent a car), kompani që merren me shpërndarjen e mallrave, posta private, si dhe kompani ndërtimore.
Ndryshe, për këtë protestë, grupi në fjalë kanë marrë leje si nga Policia e Kosovës ashtu edhe nga Komuna e Prishtinës. /Buletini Ekonomik/