Supremja refuzon ankesën e Vetëvendosjes

Gjykata Supreme ka refuzuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje, lidhur me vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, për të mos urdhëruar KQZ-në për numërimin edhe të 392 pakove të ardhura me vonesë nga diaspora, raporton Koha.net.

Vetëvendosje, u ankua që Supremja të vendosë njësoj sikur në rastet e mëparshme, kur urdhëroi numërim të pakove që erdhën me vonesë nga diaspora.

Në vendimin e siguruar nga Kohavisioni, thuhet se kjo ankesë është e pabazuar.

Reklama e sponzorizuar

“Gjykata Supreme, pranon në tërësi sit ë bazuar qëndrimin juridik të PZAP-it lidhur me hedhjen sit ë palejuar të ankesës të Lëvizjes Vetëvendosje, sipas të cilës në këtë fazë të procesit zgjedhor, nga ankuesi është kërkuar që gjithsesi të verifikohen dhe numërohen edhe këto 392 pako të fletëvotimeve të votuesve jashtë Kosovës. Një ankesë e tillë pa dyshim dhe sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme është e pas afatshme, kjo ngase ajo nuk është paraqitur para publikimit të vendimit të KQZ-së lidhur me rezultatin përfundimtar zgjedhor, ose 24 orë pas publikimit të rezultateve përfundimtare më datë 7 nëntor 2019, por kjo ankesë është paraqitur 15 ditë pas publikimit të këtij rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve…”, thuhet ndër të tjera në arsyetimin e Supremes.