Ulja e temperaturave- ankohen qytetarët, çmimi i lartë i druve

Temperaturat e ulëta kanë shtuar edhe përgatitjet për sezonin dimëror. Ngrohja është pothuajse brenga e çdo familje gjatë këtij sezoni. Derisa disa qytetarë po furnizohen me ngrohje nga Termokosi, shumë të tjerë po ankohen që me të ardhurat e tyre nuk po arrijnë të sigurojnë dru për të kaluar dimrin, e kjo për shkak të çmimeve të larta.

Një gjë të tillë e thotë 75 vjeçari, Kadri Rusinovci. Ai për KosovaPress thotë se me të ardhurat që ka si pensionistë nuk ka arritur të sigurojë ende drutë për ngrohje.

Rusinovci: Shtrenjtë për neve pensionistët

Reklama e sponzorizuar

“Nuk kam blerë ende… shtrenjë për neve pensionerat…prej 40 deri në 50 euro… kur të marrë pensionin 200 euro”, thotë ai.

Të njëjtën gjë po e thotë edhe një tjetër banor i Prishtinës. Ejup Gashi, i cili ende nuk ka arritur të blej drutë për ngrohje, thotë se papunësia çdo ditë e më shumë po ua vështirëson jetën.

Gashi: Janë shumë shtrenjtë për qytetarët e Kosovës

Shtrenjtë është, kur i ke të tuat nuk është shtrenjtë, por me i ble shtrenjtë janë… nuk di 40, 42, 43… Po si nuk janë shtrenjtë për qytetarë të Kosovës nuk janë të punësuar, nuk kanë punë, nuk kanë asgjë, është vështirë me jetu normal”, thotë Gashi.

Edhe Fahrie Rama, e cila është banore e Prishtinës thotë se këtë vit çmimi i druve ka qenë shumë i shtrenjtë.

Rama: Shumë shtrenjtë

Nuk janë hiç, në krahasim me pagat që i marrim jo, shumë pak, shumë shtrenjtë”, thotë ajo.

Çmimin e lartë të druve Jakup Halili, i cili është shitës i druve, po e arsyeton me mungesën e druve në male, derisa thekson se çdo vit po kanë më pak shitje.

Halili: Metri i druve po shitet 45 euro

“Metri i druve po shitet 45 euro… këtë vit në përgjithësi ka shkuar çmimi shtrenjtë sepse malet janë shpenzuar gogja shumë, drutë po kërkohen shumë, shumë problem i madh, qymyri nuk po shitet, këto gjëra po ndikojnë krejt…Po si nuk ka ankesa prej qytetarëve kur rroga nuk kanë, kushtet e këqija ka bile shumë ankesa që nuk kanë se me çfarë t’i marrin”, deklaron Halili.

Në anën tjetër, zëdhënësja e Termokos-it, Afërdita Uka thotë për KosovaPress, se nga data 15 tetor kanë filluar furnizimin me ngrohje për 13 mijë konsumatorë. Megjithatë ajo ka theksuar se është një pjesë e konsiderueshme e rrjetit të stërvjetuar, për çka pritet se do të ketë probleme me furnizim.

Uka tregon se janë në proces të zgjerimit të rrjetit të ngrohjes, për çka sipas saj, brenda muajit do t’i shtohen edhe 2500 konsumatorë të rinjë ngrohtores së qytetit.

Uka: Do të kyçen 20 objekte banesore

“Është në proces edhe kyçja në rrjetin e ngrohjes të lagjes Kalabria, përkatësisht banesave të ashtuquajtura të Arabëve, ku do të kyqën 20 objekte banesore, të kësaj lagjeje. Është në realizim pjesa e shtrirjes së rrjetit rreth këtyre banesave, ka përfunduar kohë më parë, tani është duke u realizuar kyçja kryesore. Pra është duke u përcjellur gypi i ngrohjes nga adresa ku jemi tani në drejtim të lagjes Kalabria, por për realizimin e kësaj duhen edhe pak ditë, për shkak se merr pak kohë derisa të arrin gypi atje, por po besojmë që brenda muajit do të kenë edhe ata ngrohje nga Termokosi…(04:51) Gjithë projekti që ka afat të realizimit 18 muaj si rekapitullim i gjithë këtij projekti do të kemi 2500 konsumatorë të rinjë ”, thotë Uka.

Derisa ka folur për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes, ajo ka theksuar se gjatë këtij viti në rrjetin e ngrohjes së Termokos-it, i janë kyçur shkolla Naim Frashëri, Stacioni i Policisë në lagjen e Muhaxherëve, Fakulteti i Arkitekturës dhe çerdhja “Buzëqeshja”.

Zëdhënësja e Termokos-it tregon se është hera e dytë që Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka intervenuar në tarifat e ngrohjes duke i zbritur ato.

Uka: Kemi një zbritje prej 2 përqind

“Këtë vit, para pak ditësh kemi marrë raportin nga ZRRE, e cila në bashkëpunim të ngushtë me menaxhmentin e ndërmarrjes tonë kanë kalkuluar këto tarifa të reja, dhe në bazë të këtyre kalkulimeve është bërë një zbritje e tarifave të ngrohjes për konsumatorët banesorë dhe ata afaristë dhe institucionalë. Kemi një zbritje prej 2 për qind, për dy tarifat. Përderisa për konsumatorët banesorë ka qenë tarifa 78 cent për metër katror plus TVSH tani është 76 cent plus TVSH. Ndërsa për subjektet afariste dhe institucionale ka qenë tarifa 97 cent, tani është 95 cent me këto zbritje që janë bërë së fundmi nga ZRRE”, shton ajo.

Mes tjerash ajo thotë se me ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, priten të rriten kapacitetet në furnizimin me ngrohje. Ajo tregon se me zgjerimin e projektit të kogjenerimit, qyteti i Prishtinës do ta zgjidh përfundimisht problemin e ngrohjes qendrore.