21 vjet pas luftës së lavdishme të komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jasharit dhe familjes së tij me Ushtrinë dhe me Policinë e Serbisë projekti për konservimin e kompleksit memorial “Adem Jashari” në Prekaz ende nuk ka filluar, teksa vonesat vetëm sa po e përkeqësojnë gjendjen e simboleve të lirisë së Kosovës, shkruan sot gazeta Zëri.
Me formimin e qeverisë së re në vend pritet të formohet edhe komiteti ndërministror për kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Bislim Zogaj, kryetar i kësaj agjencie, për “Zërin” ka thënë se projekt për konservimin e kullave të Jasharëve ka pasur edhe në vitin 2017, por nuk ka filluar së realizuari për shkak të ngecjes për ta miratuar projektligjin. “Për këtë Kompleks kjo agjenci ka zhvilluar të gjitha aktivitetet me mundësitë dhe kapacitetet e saj për realizimin e këtij projekti. Në kuadër të kësaj agjencie para se të vij unë si drejtor ka qenë një konkurs për projektin për konservimin e kullave të rezistencës dhe ai projekt ka përfunduar diku në vitin 2017. Ai nuk ka filluar së realizuari për shkak se është pritur të votohet Projektligji për Kompleksin ‘Adem Jashari’”, ka thënë Zogaj.
Duke folur për Ligjin për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, Zogaj potencoi se në të parashihet projekti i përgjithshëm për Kompleksin në Prekaz dhe jo vetëm ai për konservimin e kullave. “Me votimin e Ligjit për Kompleksin ‘Adem Jashari’ në tetor të vitit të kaluar është paraparë që duhet të formohet një komitet ndërministror, i cili merr të gjitha kompetencat rreth procedurave për shpalljen e tenderëve për projekt, por edhe për kompaninë që do ta realizojë projektin. Deri në përfundim të projektit të përgjithshëm është në kompetencë të këtij komuniteti ndërministror, pas përfundimit të tij menaxhimi kalon në kuadër të agjencisë”.
Zogaj shpreson që qeveria e ardhshme ta ketë prioritet formimin e komiteti ndërministror, i cili do të merret me procedurat e tenderimit për projektin e kompleksit në Prekaz.
“Me formimin e qeverisë së re sigurisht që do të jetë prioritet formimi i komitetit ndërministror, i cili do të merret me procedurat për paraqitjen ose me tenderin për projekt dhe pastaj edhe për implementimin e atij. Besoj që komiteti ndërministror në ardhje do të jetë shumë më i zhurmshëm dhe besoj se vitin tjetër do të fillojë realizimi i projektit të kompleksit memorial ‘Adem Jashari’”, ka pohuar Zogaj.