Yagcilar harxhoi 17 mijë euro në dreka e darka

Ministri Mahir Yagcilar ka shpërfillur të gjitha limitet e shpenzimeve në dreka e darka zyrtare. Për 24 muaj ai ka harxhuar në ushqime rreth 17 mijë euro.

E dhëna ndodhet në pasqyrën e shpenzimeve të bëra gjatë dy vjetëve, e të cilën Ministria e Administratës Publike ia ka vënë në dispozicion “Kohës Ditore”, pas një kërkese për qasje në dokumente publike.

Bazuar në këtë dokument, Yagcilar ka shpenzuar për reprezentacion saktësisht 16.672.71 euro, shkruan sot “Koha Ditore”.

Reklama e sponzorizuar

Reprezentacioni nënkupton të gjitha shpenzimet që bëhen me rastin e kryerjes së punëve dhe detyrave, siç janë drekat apo darkat me delegacione të ndryshme, e edhe pijet gjatë takimeve. Udhëzimi Administrativ, që trajton këtë kategori shpenzimesh, i kufizon ato për ministrat deri në shumën 500 euro në muaj.

Përgjatë dy vjetëve, vetëm në katër muaj ministri kishte respektuar këtë limit: në nëntor 2017, në dhjetor 2018 dhe në maj e korrik 2019.