Një kontratë e lidhur mes ndërmarrjes publike “Ibër Lepenci” dhe një kompanie tjetër në Kosovë, për shitblerjen e energjisë elektrike, po cilësohet mjaft e dëmshme për buxhetin e Kosovës.
Ndërmarrja “Ibër Lepenci” ka nënshkruar kohë më parë një marrëveshje me këtë kompani që është e regjistruar në Kosovë, duke hyrë kështu në obligime që të njëjtës t’ia shes minimum 40 mijë MWh në vit me çmim fiks prej 32 €/MWh, me kohëzgjatje deri në fund të vitit 2023.
Sipas Blendi Hasajt, Drejtor në Institutin “GAP”, ky tender në fillim ka qenë i shpallur për kontratë një vjeçare, por quditërisht e njëjta kontratë është nënshkruar më pas për tri vite.
Në kontratë gjithashtu i është lënë hapësirë edhe Arbitrazhit për zgjidhjen e kontesteve në rast të shkëputjes së kontratës para kohe.
Përveç kësaj, kompania në fjalë është siguruar që në kontratë mos t’i përfshijë as nenet bazike të kontratave të natyrës së tillë, që do t’i jepnin mundësinë, në këtë rast Ibër Lepencit, ta shkëpuste kontratën në situatata të jashtëzakonshme, e as nuk i kanë lënë hapësirë për rishikimin e përvitshëm të kushteve të kontratës.
Pra, gjersa çmimet e importit të energjisë elektrike aktualisht shkojnë mbi 600 €/MWh, “Ibër Lepenci” e shet atë me vetëm 32 €/MWh, përcjell Buletini Ekonomik.
Hasaj thotë se të njëjtën kontratë, qeveria ka bërë thirrje që ta trajtojë prokuroria, dhe me sa dihet deri më tani, lënda veqse është në prokurori.
Mirëpo, siç thotë drejtori i GAP-it, meqë pak mund të pritet nga gjetja e një zgjidhjeje nga aspekti ligjor deri në përfundimin e vet kontratës marr parasysh performancën e gjyqësorit në Kosovë, Qeveria e Kosovës e ka mundësinë ta bëj një hap që këtë vit Kosovës t’i kthehen të paktën një pjesë e mjeteve të marrura padrejtësisht nga kjo kontratë e dëmshme. E gjithë kjo për shkak se sipas Hasajt, ndërmarrjeve në sektorin e energjisë u janë rritur ndjeshëm fitimet për shkak të krizës me furnizim, si pasojë e luftës në Ukrainë etj., ku shumë shtete në Evropë janë duke i tatimuar ato me norma shtesë, siç është rasti me “windfall tax”.
“Sikur të aplikohej në sektorin e energjisë në Kosovë, ky lloj tatimi (takse) do t’i prekte vetëm KEK-un dhe ndërmarrjen e cila e ka lidhur këtë kontratë me “Ibër Lepencin”, dhe i njëjti do të duhej të aplikohej qoftë në diferencën mes profitit të këtij viti dhe mesatares nga vitet e kaluara apo në ndonjë format të ngjashëm”, thotë tutje Hasaj.
Për rastin e KEK-ut, ai thotë se qeveria mjetet e marrura nga tatimi në fjalë, do të mund t’ia kthente menjeherë, qoftë përmes ndarjes së ndonjë subvencioni ndaj saj, qoftë përmes granteve, etj. /Buletini Ekonomik/