Z-Mobile: Brendi ynë u mbyll dhunshëm

Pas vendimit që numrat e Z-Mobilet të kalojnë prej mesnate në platformën e Valës, ka reaguar edhe kjo e para për këtë vendim.

Thotë se brendi Z-Mobile është mbyllur dhunshëm.

Përmes një reagimi publik, Z-Mobile thotë se është ndër të vetmet biznese në Kosovë që i është nënshtruar çdo trajtimi gjyqësor e parlamentar.

Reklama e sponzorizuar

Lexoni reagimi e plotë nga Z-Mobile:

Sot për Festën e Flamurit ndodhi “nacionalizimi” i investimit në Kosovë

Sot është dita kur klima linçuese, e ndërsyrë nga grupe të ndryshme të interesit politik dhe ekonomik, arriti një qëllim të turpshëm, duke uzurpuar asetet e një investimi të ligjshëm dhe legjitim në Republikën e Kosovës.

Nga sot, brendi ZMobile u mbyll dhunshëm, duke iu dhënë asetet e tij një ndërmarrje publike, Telekomit të Kosovës, në një rast të padëgjuar në të gjithë Evropën bashkëkohore.

Në vendin, në të cilin secili politikan, secili person publik e secili qytetar kërkon investime, hapje të vendeve të reja të punës, rritje të prodhimit vendor, rritjen e cilësisë së prodhimit, tenton ti bëhet atentat njërës prej kompanive më të sukseshme vendore, duke ia “nacionalizuar” pronën, sikur të ndodheshim në kohën e diktaturës komuniste të pas Luftës së Dytë Botërore.

Çfarë sigurie për investimeve do të ketë ndonjë kompani e vendit ose e jashtme, kur e sheh se në Kosovë ekziston mundësia që për shkak të interesave të ngushta të grupeve të caktuara, fabrikohen situata e keqinterpretohen fakte, në mënyrë që një ditë të mbyllet një kompani dhe ti konfiskohet prona duke u bartur në një ndërmarrje tjetër?

Ka pasur shumë zhurmë dhe sulme ndaj kompanisë Zmobile. Por, të gjithë ata që kanë sulmuar e akuzuar, asnjëherë nuk kanë mundur që “argumentat” e tyre ti vërtetojnë në gjykatë, ose kudo që kanë tentuar.

Nuk ka edhe ndonjë biznes tjetër në Kosovë, i cili i është nënshtruar më shumë trajtimeve gjyqësore, parlamentare etj, kurse në të gjitha pa përjashtim ka dalë jo e fajshme. Zmobile është hetuar dy herë nga gjykatat e EULEX-it dhe ka dalë e pafajshme, Zmobile ka ngritur raste ligjore në arbitrazh ndërkombëtar dhe ka dalë se ka të drejtë, Zmobile është dërguar sërish të gjykatat vendore pas arbitrazhit dhe përsëri ka dalë fituese. Të gjithë ata që kanë sulmuar dhe linçuar, i dijnë të gjitha këto, por duket se janë verbuar nga interesi i ngushtë, deri sa e gjetën një mundësi që ta mbyllin një investim të ligjshëm të Kosovës, me interpretim të padrejtë një kontratës me Telekomin e Kosovës. Patjetër, se edhe kësaj here, ne nuk e kemi ulur kokën para kësaj padrejtësie të madhe dhe përkundër vullnetit, jemi detyruar ta kërkojmë drejtësinë edhe një herë në gjykatën e arbitrazhit.

Ne vetëm se jemi thellë të zhgënjyer me heshtjen e institucioneve të vendit karshi kësaj padrejtësie ndaj një biznesi kosovar, i cili është mes punëdhënësve më të mëdhenj në vend, tatimpaguesit më të mëdhenj në vend dhe që prodhon produkte të cilësisë më të lartë evropiane.

Me këtë qasje të jashtëligjshme, do të frikësohen të gjithë investitorët potencialë vendorë dhe ndërkombëtarë të bëjnë ndonjë investim në Kosovë. Kush garanton që kjo që ka ndodhur sot me Zmobile, nuk do të përsëritet edhe me investimet e tjera vendore, sa herë që ato iu shkojnë ndesh qëllimeve të fshehta të grupeve ekonomike, politike e mediale? D.m.th. në Kosovë paska mundësi që çdo instancë gjyqësore ndërkombëtare dhe vendore, si dhe çdo hetim tjetër, të dalë pa shkelje, por prapë se prapë dikush të jetë më i fortë se institucionet e vendit dhe ndërkombëtare dhe ta “nacionalizojë” pronën e ligjshme private.

Më këto që na kanë ndodhur neve do të bëhet reklama më e keqe vendore dhe ndërkombëtare për zhvillimin e biznesit privat dhe klimën e investimeve të përgjithshme private në Kosovë.

Por ne jemi të bindur, ashtu siç kemi qenë edhe deri tani, se drejtësia ndërkombëtare do të na japë sërish të drejtë.

Deri atëherë, duam të shfrytëzojmë rastin ti falënderojmë të gjithë klientët tanë, të cilët na kanë mbetur të devotshëm gjatë gjithë këtyre viteve të vështira.