ZRRE-ja ia mundësoi KEDS-it të aplikojë çmime paushalle për kyçjet e bizneseve në rrjet

Zyra e Rregullatorit për Energji në Kosovë (ZRRE), që në të njëjtën kohë është edhe rregullatori kryesor për KEDS-in, ka lejuar që KEDS-i që nga viti 2012, të punojë me një çmimore të njëjtë, e cila në atë kohë ishte e miratuar për KEK-un.

Lejimi i operimit me tarifat e atëhershme nga ZRRE-ja dhe mos miratimi i një çmimoreje të re, e standarde nga e njëjta, i ka mundësuar KEDS-it që të aplikoj çmime paushalle me rastin e kyçjes së bizneseve të reja në rrjetin ekektrik, përcjell Buletini Ekonomik.

ZRRE-ja për Buletinin Ekonomik ka ofruar një çmimore të vitit 2005, e cila sipas tyre ende aplikohet nga KEDS-i, e ku në të thuhet se shuma më e lartë për një kyçje në rrjetin elektrik të konsumatorëve të rinj varion nga 600 euro për lidhjen e grupit matës në nivelin 10 kV, ndërsa në nivelin deri në 35 kV shkon deri në 800 euro maksimalja.

Reklama e sponzorizuar

Ndërkohë, siç kanë treguar disa biznese për Buletinin Ekonomik, ato kanë paguar edhe deri në 7 mijë euro për një kyçje në rrjet, edhe pse çmimorja e lartëcekur e Zyrës së Rregullatorit për energji thotë se vlera maksimale për kyçje të jetë jo më shumë se 800 euro.

Pronari i njërit nga bizneset, që ka dashur të mbetet anonim, ka ofruar edhe dëshmi për këtë rast.

Ai ka treguar për Buletinin Ekonomik se jo më pak se dy javë, biznesit të tij i është kërkuar të paguajë fiks 7 mijë e 522 euro, për t’u kyçur në rrjetin e KEDS-it, e përpos kësaj edhe i është dashur ta paguajë edhe Trafon në vlerë të mbi 15 mijë eurove, e cila më pas bëhet pjesë e KEDS-it.

Po ashtu, i njëjti biznes kishte paguar edhe rreth 300 metra kabllo nga rrjeti i vet KEDS-it deri te objekti i tij, si dhe instalimin.

“Se nuk kam qef me fol pa dokumente, kjo është e para dy jave, ku biznesit i kërkohen të paguaj 7522.50 euro, për të ju mundësuar kyçja në rrjet të KEDS-it, plus Trafon mbi 15 mijë euro duhet me ble vet, edhe 300 metra kabëll nga rrjeti i KEDS-it deri te objekti, duhet poashtu vet biznesi me i ble dhe instalu”, ka thënë ky burim.

Ndërkaq, sipas KEDS-it, ata kanë hartuar një metodologji të re të çmimeve, e të cilën e kanë dërguar tek Rregullatori për miratim që nga viti 2016, mirëpo ata ende s’kanë marrë ndonjë përgjigje apo aprovim nga kjo Zyre. /Buletini Ekonomik/