2020-a, pa buxhet

Vonesat në procesin zgjedhor dhe në formimin e koalicionit qeveritar në vend kanë ndikuar që Kosova ta fillojë vitin 2020 pa miratuar buxhetin, pasi afati i fundit ligjor për dorëzimin e tij në Kuvend ishte 31 tetori.

Ka rrezik që mosmiratimi i tij deri në muajin prill të vitit vijues të sjellë krizë financiare dhe buxhetore në vend. Një gjë e tillë po mohohet nga zyrtarët e financave, të cilët po presin ta dërgojnë buxhetin për miratim në Kuvend, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Vonesat e krijuara në vend nga stërzgjatja e procesit zgjedhor dhe nga mosarritja e marrëveshjes për koalicion qeverisës kanë kushtëzuar që Kosova ta fillojë vitin 2020 pa buxhet të miratuar. Qeveria në detyrë ka miratuar vetëm kornizat buxhetore, por jo edhe projektligjin për shkak të shpërndarjes së Kuvendit.

Reklama e sponzorizuar

Deri më tani është e miratuar vetëm korniza afatmesme e shpenzimeve 2020 – 2030, e cila paraqet dokumentin kryesor, mbi bazën e të cilit do të duhej të hartohej buxheti vjetor për vitin 2020. Sipas kësaj kornize, buxheti i Kosovës parashihet të jetë rreth 2.4 miliardë euro.